“Votat do t`i ruajmë”, ishte ky premtimi që iu dha qytetarëve në kryeqytet, kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi.

Gjatë ecjes që zhvilloi në zonën e “Rrugës së Kavajës”, Këlliçi shtrëngoi duart me dhjetra qytetarë dhe intelektual të Tiranës, të cilët i uruan fitoren më 14 maj. Një ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve është vjedhja e votës gjatë procesit të numërimit. Por, Belind Këlliçi garantoi qytetarët se vota e tyre do të mbrohet dhe garantohet, ndërsa u bëri thirrje të gjithë banorëve të kryeqytetit të marrin pjesë në zgjedhjet e 14 majit. 

“Gëzohem njëherë të shihemi personalisht. Kemi shpresa te ju rinia, por këta vjedhin votat”,-u shpreh një qytetar i Tiranës. Belind Këlliçi i shprehu garacinë qytetarit, se vota më 14 maj do të mbrohet nga vetë ai.

“Votat do t`i ruajmë dhe garantojmë. Vetëm duhet me shku vota te kutia.

Vetëm kaq, ju çoheni në kuti, pjesën tjetër do duhet ta bëj unë. Jam aktualisht deputet i Tiranës, po i lë të gjitha për t’u futur në këtë garë që mendoj se duhet një model ndryshe. Përballë Erion Velisë jam unë”, u shpreh kandidati i opozitës.

Shpopullimi i vendit dhe largimi i të rinjve ishte tjetër temë, të cilën qytetarët e Tiranës e diskutuan gjatë takimeve me Belind Këlliçin.

“Unë jam këtu, fëmijët ikën. Në Angli është goca, thonë shyqyr që ikëm. Por jo shyqyr që ikën, se s`po pijmë dot një got ujë. Ne jemi çuna Tirane. Turp”,- tha një qytetar i Tiranës gjatë takimit me Belind Këlliçin. Një zonjë teksa i uroi fitoren kandidatit të opozitës në zgjedhjet e 14 majit, u shpreh se duhet ndryshim për të ndalur shpopullimin.

“Më vjen mirë që je në kyre. Me thënë të vërtetën duhet një ndryshim që të mos na ikin të rinjtë, mos të na ikin fëmijët tanë. Do Zoti të bëhet një ndryshim, që të jemi dhe më mirë”, u shpreh zonja.

Kandidati i opozitës, Belind Këlliçi u kërkoi mbështetje qytetarëve për të larguar Erion Veliajn nga drejtimi i bashkisë dhe për t`i hapur rrugë ndryshimit.