Kryetari i grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i është përgjigjur “flakë për flakë” kryeministrit Edi Rama, i cili ditën e sotme (8 shkurt), në Podkastin e tij “Flasim”, komentoi vendimin e Kushtetueses për ankimimin e tij në lidhje me pezullimin, duke ia rrëzuar kërkesën.

Zv/kryeministrja me atë vendim mbeti e pezulluar nga detyra, sipas masës së sigurisë së GJKKO-së, teksa është e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe, por kreu i qeverisë deklaroi se me këtë vendim merret peng ekzekutivi, pasi një gjyqtar tani mund të pezullojë edhe Presidentin, përveç ministrave.

Bardhi tha se “mbrojtja e korrupsionit nuk është shtet ligjor” dhe se “sa herë drejtësia i afrohet korrupsionit të Ramës, kryeministri nis sulmet ndaj saj”.

Deputeti demokrat nënvizon se “Belinda Balluku e ka kthyer Ramën në një Don Kishot” dhe kujtoi se “drejtësia nuk është mulliri i askujt dhe se ligji duhet zbatuar”, duke iu kundërpërgjigjur akuzës së kreut të mazhorancës se po bëheshin përpjekje për të riparuar “mullinjtë e prishur të opozitës”.

“Sa herë që drejtësia i afrohet pushtetit të tij të kriminalizuar dhe të korruptuar, Edi Rama zgjedh sulmin kundër drejtësisë. Nga pezullimi kushtetues si “budallallëk botëror” tek “shpikjet e drejtësisë së papjekur”, Belinda Balluku e ka shndërruar Edi Ramën në një Don Kishot që sheh kudo armiq dhe bën beteja me mullinjtë e erës. Por problemi nuk janë metaforat e Ramës. Problemi është frika e kryeministrit për shkak të punëve të tij të zeza”, shprehet Bardhi mes të tjerash në postimin e tij, në rrjetin social Facebook.

Ai e shoqëron edhe me një foto të kryeministrit me Ballukun e Berberin, me “vulën”: “Te Korruptuar”.

Në fund kërkon mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve në Kuvend dhe më pas Parlamentit për t’i hequr imunitetin Ballukut dhe për t’i hapur rrugë SPAK-ut për arrestimin, pasi në të kundërtën do pengohej drejtësia.

“Drejtësia nuk është mulliri i askujt. Dhe Shqipëria nuk ka nevojë për një garant personal të ligjit. Ka nevojë për ligj që zbatohet njësoj për të gjithë. Si për Lindën e AKSHI-t dhe për Belindën e qeverisë. Të hënën duhet të mblidhet Këshilli i Mandateve. Të hënën duhet të shqyrtohet kërkesa e SPAK. Të hënën Kuvendi duhet t’i hapë rrugë arrestimit. Çdo vonesë tjetër do të jetë një akt i qartë pengimi ndaj drejtësisë. Ligji nuk negociohet. Ai zbatohet!”, shprehet ligjvënësi opozitar

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

Mbrojtja e pushtetit dhe korrupsionit nuk është shtet ligjor!

Sa herë që drejtësia i afrohet pushtetit të tij të kriminalizuar dhe të korruptuar, Edi Rama zgjedh sulmin kundër drejtësisë.

Nga pezullimi kushtetues si “budallallëk botëror” tek “shpikjet e drejtësisë së papjekur”, Belinda Balluku e ka shndërruar Edi Ramën në një Don Kishot që sheh kudo armiq dhe bën beteja me mullinjtë e erës. Por problemi nuk janë metaforat e Ramës. Problemi është frika e kryeministrit për shkak të punëve të tij të zeza.

Sepse kur një Kryeministër del publikisht për të delegjitimuar një vendim gjykate, ai nuk po mbron vetëm një ministre. Po mbron pushtetin e vet për ta vendosur atë mbi ligjin. Dhe çdo fjali e Ramës tregon një gjë: ai nuk e pranon kufirin e ligjit, duke shpallur veten “garant të vetëm” të drejtësisë. Por në një shtet ligjor drejtësinë nuk e garanton as një njeri, as një parti.

E garanton Kushtetuta.

E garanton ndarja e pushteteve.

E garanton barazia para ligjit.

Edi Rama as sot, as kurrë nuk ka qenë garant i drejtësisë. Ai ka qenë, është dhe do të jetë pengesa e saj. Sepse drejtësia e pavarur nuk ka nevojë për tutorë politikë. Ka nevojë për heshtjen e pushtetit dhe forcën e ligjit.

Drejtësia nuk është mulliri i askujt. Dhe Shqipëria nuk ka nevojë për një garant personal të ligjit. Ka nevojë për ligj që zbatohet njësoj për të gjithë. Si për Lindën e AKSHI-t dhe për Belindën e qeverisë.

Të hënën duhet të mblidhet Këshilli i Mandateve.

Të hënën duhet të shqyrtohet kërkesa e SPAK.

Të hënën Kuvendi duhet t’i hapë rrugë arrestimit.

Çdo vonesë tjetër do të jetë një akt i qartë pengimi ndaj drejtësisë.

Ligji nuk negociohet. Ai zbatohet!”.