Belinda Balluku, zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës e pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO-së, ka mbërritur në ambientet e gjykatës për verifikimin e masave të sigurisë të caktuara ndaj saj.

Belinda Balluku mbërriti e shoqëruar nga avokati i saj rreth orës 08:50, por nuk bëri asnjë deklaratë për mediat.

GJKKO ka caktuar ndaj saj masat e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë).

Ndaj të pandehurës Belinda Balluku rëndojnë akuzat për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunimsa përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.

Ndërkohë pak minuta para saj, në GJKKO mbërriti edhe e motra avokate që e përfaqëson, Pamela Qirko.

Belinda Balluku ka përforcuar ekipin e saj ligjor për t’u mbrojtur. Krahas motrës së saj, ekipit të saj iu është shtuar edhe Ardian Kalia, i cili më herët ka ushtruar detyrën e gjyqtarit.