Fitorja kundër Getafes (2-0) nuk ka kaluar pa probleme për Realin e Madridit. Mesfushori i Realit, Xhud Bellingam, u zëvendësua në pjesën e parë në ndeshjen kundër Getafe në “Santiago Bernabéu”, pasi mori një goditje në kokë nga David Soria. Anglezi ishte në gjendje të përfundonte pjesën e parë, por sipas klubit të bardhë, mesfushori kishte marrje mendsh në pjesën e parë pas përplasjes dhe për të mos marrë asnjë lloj rreziku u vendos që anglezi të qëndronte në dhomat e zhveshjes dhe Arda Gyler do të zinte vendin e tij.
Bellingam ishte një nga më të mirët në lojë, duke zbritur për të marrë dhe duke lëvizur midis linjave. Anglezi po e ndëshkonte Getafen me lëvizshmërinë e tij të madhe. Ai e shndërroi penalltinë e fituar nga Madridi, pas një faulli të Niom ndaj Rydiger. Xhud nuk u mendua dy herë dhe mori topin, një vendim që Mbape nuk e vuri në dyshim. Anglezi e ekzekutoi 11-metërshin me “stil Levandovski”. Ai asistoi gjithashtu Mbapenë në golin e dytë të Realit.Ndërkaq, te klubi japin garanci se ai do të jetë të mërkurën kundër Bilbaos. Megjithatë, te Reali nuk duan të nxitohen duke parë se bëhet fjalë për një goditje në kokë.