DURRËS, 9 shkurt 2015 – Drejtori i dorëhequr i Autoritetit portula Durrës, Selim Belortaja, nëpërmjet një statusi në rrjetin social Face Book ka falënderuar portalin “durreslajm.com” për lajmin e dhënë më 7 shkurt 2015 (http://www.durreslajm.com/lsi/ndryshon-kabineti-rama-belortaja-zvminist%C3%ABr-i-jasht%C3%ABm). Lajmi i “Dyrrah”-ut shkaktoi bujë në mediet onlajn të së dielës dhe së hënës. Portalet “respublica.al”, “Dita”, “TemA” iu referuan “Dyrrah”-ut (durreslajm.com), por të tjerat, fatkeqësisht, ndonëse citonin fragmente nga lajmi, nuk jepnin burimin, me sa duket, se mos u binte “nuri”. Dhe nuk është hera e parë që sajte të ndryshme huazojnë lajme apo marrin spunto nga “Dyrrah”-u, duke e injoruar për shkak të nivelit të tyre amator. Kur ka huazuar shkrime, “durreslajm.com”-i u është referuar burimeve origjinale.
JA STATUSI I Z. SELIM BELORTAJA
“E falënderoj “durreslajm”-in për përcjelljen shumë dashamirëse që i bën largimit tim nga porti i Durrësit – pas dorëheqjes sime. Duhet të saktësoj, megjithatë, se nuk ka një emërim zyrtar në detyrë tjetër. Gjej rastin të falënderoj, krahas stafit e bashkëpunëtorëve, edhe gazetarët shumë kërkues e profesionistë durrsakë, të cilët vërtet më kanë ndihmuar për t’ua dalë mbanë prioriteteve të një viti shumë të vështirë. Nderime të thella”.
ANALIZË
Në fakt, përtej kësaj mirësjelljeje të z. Belortaja, për të cilën i shprehim mirënjohje, lexuesit e “Dyrrah”-it janë dëshmitarë të faktit që marrëdhëniet midis APD-“durreslajm.com” nuk kanë qenë kaq “rozë”. Pasqyrimi i aspekteve pozitive apo negative, investigimet e shumta për koncesionet në port janë ndjekur me vëmendje nga “audienca” e internautëve dhe janë ribotuar në medie qendrore të shkruara. Në këtë këndvështrim, APD-ja dhe “durreslajm.com”-i kanë përfituar në mënyrë të ndërsjellë nga bashkëpunimi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





