Deputeti kritik e rebel i PS-së, Ben Blushi, ka dalë zyrtarisht përballë Edi Ramës. Nga studioja e emisionit “Top Story”, Blushi deklaroi mbrëmë për herë të parë se ai do të garojë për postin e kryetarit të partisë nëse do të ketë një garë në Kongresin e 19 marsit. Deputeti kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve brenda PS-së për të risjellë demokracinë dhe kolegjialitetin dhe shprehu bindjen se nëse do të ishte në krye të partisë, do ta drejtonte atë më mirë sesa Edi Rama.

“Kjo parti e drejtuar nga Edi Rama në këto 3 vjet nuk ka demokraci, ka kryetarë banditë nëpër degë, ka njerëz nga shekulli i kaluar që kanë zaptuar jugun. Unë konkurroj se mendoj që e drejtoj PS-në më mirë se Edi Rama. E bëj më kolegjiale, më të hapur, një parti që nuk fut banditë dhe nuk zëvendëson ata që lexojnë me ata që kanë armë sepse kjo po ndodh. Shumë njerëz më thonë për çfarë e bën ti këtë? Unë e bëj këtë për njerëzit, e bëj këtë për të gjithë, e bëj se besoj që mund ta drejtoj PS më mirë se Edi Rama, ta bëj një parti demokratike, të hapur, kolegjiale dhe një parti të majtë sepse nuk është ashtu sot”, shtoi ai.

Blushi tha se Partia Socialiste ka humbur identitetin e saj dhe nuk po qeveris si e majtë. Ndër të tjera, ai shtoi se është jashtëzakonisht shumë i zhgënjyer me qeverisjen.

“Të gjithë vendimet që janë marrë kohët e fundit në Parlament dhe ato që janë tërësisht personale. Të gjitha koncesionet. Sot PS nuk është as e majtë dhe as e djathtë, është konfuze. Në 3 vjet varfëria është shtuar dhe ne nuk bëjmë aq sa duhet për të varfërit. Po si mund të bëjmë për të varfërit kur partia ka ose banditë ose të pasur. Si ka mundësi që në grupin tonë parlamentar janë 10 njerëzit më të pasur në Shqipëri? Pse vijnë ata në një parti të majtë?”, u shpreh Blushi.