14nëntor 2015 – Tre persona janë arrestuar nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Bregdeti”, pasi akuzohen për “Falsifikim dokumentesh” dhe “Shpërdorim detyre”. Sipas burimeve zyrtare në pranga kanë rënë shtetasit: Fatos Gjuzi, Myzafer Xhelilaj dhe Idriz Thaçi. Prokuroria e Kavajës ka marrë lejen e gjykatës për arrestimin e tre ish-zyrtarëve të ndarjes dhe regjistrimit të tokave, të cilët sipas organit të akuzës i kanë ndryshuar destinacionin disa parcelave me rreth 950 mijë metra katrorë tokë bregdetare, duke e konsideruar si tokë “arë”, me qëllim regjistrimin e saj në emër të personave të ndryshëm, në kundërshtim të plotë me ligjin.

Në bazë të ligjit nr.7501, viti 1991 “Për tokën”, ndahet në favor të familjeve që jetojnë në fshat toka “arë”, duke përjashtuar tokën bregdetare.

Por shtetasit Idriz Thaçi dhe Myzafer Xhelili, konkretisht në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Tokës në Fshatin Vilë-Boshtovë, Komuna Gosë, dhe Përfaqësuesit të Rrethit Kavajë, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, sipas Prokurorisë kanë tjetërsuar tokën bregdet, duke e konsideruar tokë “arë”, të cilën më pas ua kanë shpërndarë disa familjeve, të cilat, për më tepër, kishin përfituar më parë nga e drejta që u jepte ligji nr. 7501.

Nga hetimi rezulton se dy personat e mësipërm, kanë vepruar nën “orientimin” e shtetasit Fatos Gjuzi, kryeregjistruesi i Hipotekës Kavajë, i cili nga ana e tij, krahas regjistrimit të pronësisë së dhënë në mënyrë antiligjore nga Thaçi dhe Xhelili, ka kryer gjithashtu regjistrime për prona disa herë më të madhe se sa ato kanë qenë në realitet.

Për të tre personat, Prokuroria e Kavajës kërkoi në gjykatë masën e sigurisë “arrest në burg”. Nga ana e saj, gjykata, për shtetasit Thaçi dhe Xhelili pranoi kërkesën e prokurorisë, ndërsa për personin që konsiderohej si kryesori, pra ish-regjistruesin Gjuzi, ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Për më tepër, nga hetimi i deritanishëm, është provuar se shtetasi Gjuzi jo vetëm që është personi kyç në këtë veprimtari antiligjore, por ka siguruar edhe të dyshuarit e tjerë se “do të dalë garant për ata, në çdo situatë problematike me institucionet ligjzbatuese”. Masat e gjykatës janë ekzekutuar nga ana e Policisë së Shtetit.

 

Në bazë të hetimeve të deritanishme, rezulton se:

Në regjistrat e vitit 1991, në zonën e Vilë-Bashtovës, në Gosë të Kavajës, rezultonin rreth 950 mijë metra katrorë tokë “pa fryt” (bregdetare). Kjo tokë nuk ishte e parashikuar në ligj të përfshihej në ligjin nr. 7501, viti 1991 “Për tokën”. Gjatë vitit 2010 e në vijim, anëtarët e komisionit të kthimit të tokave, të evidentuar si më lart, Idriz Thaçi dhje Myzafer Xhelili, kanë hartuar akte kthimi dhe kalimi në pronësi familje fshatare të tokave të përfshira në bregdet. Deri në këtë fazë të procedimit penal, duke qenë se prona e tjetërsuar ka kaluar në disa pronësi, konsiderohet e nevojshme të hetohet se sa realisht nga sipërfaqja që ka qenë e emërtuar “tokë pa fryt” (bregdet) në vitin 1991, është shpërndarë si tokë “arë”.

/portali DurresLajm/