VATIKAN, 13 shkurt 2013 – Menjëherë pas lajmit të dorëheqjes së Papa Benediktit të XVI-të kanë nisur spekulimet për zëvendësuesin e tij. Ndër emrat më të përfolur në media këto orët e fundit është ai i një kardinali me ngjyrë, Peter Turkson. Pas presidentit të parë amerikan më ngjyrë a mund të kemi edhe një papë me ngjyrë? Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.
Mediat ndërkombëtare, në aludimet e tyre janë mbështetur tek parashikimet e kompanive të basteve, që si gjithnjë nuk mund të mos përfshijnë në garën e basteve edhe emrin e papës së ri. Dy nga kompanitë më të mëdha të basteve në Angli nxjerrin favorit Kardinalin Peter Kodëo Appiah Turkson, me shanset më të mëdha për t’u zgjedhur në krye të Vatikanit, i ndjekur nga kanadezi, Marc Ouellet.
Turkson u zgjodh kardinal nga Papa Gjon Pali i II, paraardhësi i Ratzinger. Kardinali Turkson është 64 vjeç dhe një nga qëndrimet e tij më të rëndësishme dhe të shprehura publikisht është se “prezervativi duhet përdorur edhe në martesë nëse njëri nga partnerët është i infektuar me AIDS”.
(m.b./ AGJENSIA E LAJMEVE "DYRRAH")