Aktori italian Roberto Benigni vë në lojë qëllimin e Silvio Berluskonit për të kandiduar në zgjedhjet në Itali, duke thënë gjatë një emisioni televiziv se “është më e keqe se njoftimi i fisit Maya për fundin e botës”. 

"Kthim? Zoti na ndihmoftë!", bërtiti Benigni me humor në transmetim televiziv. "Nuk mund ta besoj! Edhe kjo na kish munguar! Ashtu si në filmat horror; Kur gjithçka duket e qetë shfaqet peshkaqeni, mumja, goxilla…", tha aktori Italian, fitues i çmimit Oskar. 

"Berluskoni nuk ka asgjë për të humbur, i bën të gjitha; orgjitë, avokatët, të miturit. Përpiqet të kalojë mirë", thumboi Benigni, duke bërë gjeste dramatike. 

Benigni i bëri thirrje me shaka kryeministrit italian Mario Monti, për t'u bashkuar me shfaqjen dhe i kërkoi të gënjejë se do të jetë një kandidat në zgjedhje, vetëm që t’i mbyllë rrugën Berluskonit. "Mario më bëni një nder", bërtiti Benigni. 

Monti po konsideron kandidaturën, por ka ende nuk e ka njoftuar vendimin e tij. 
Berluskoni, tri herë kryeministër, ka thënë se ai është i gatshëm të dalë në pension në qoftë se Mario Monti është kandidat në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Berluskoni u dënua në tetor për mashtrim financiar dhe aktualisht është duke u përballur me akuza në gjykatë për seks me një prostitutë të mitur dhe abuzim me pushtetin.