Një person është vënë në pranga dhe një tjetër po procedohet në gjendje të lirë nga policia e Dibrës. Bëhet fjalë për 52- vjeçarin Astrit Stafa, që u arrestua për kontrabandë konfeksionesh dhe doganierit A.L, ndaj të cilit nisi procedim penal.
Sipas të dhënave zyrtare, nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Astrit Stafa, banues në fshatin Maqellarë.
Stafa dyshohet se ka tentuar të kalojë me mjetin e tij tip “Volksëagen” me targë AA 345 FH, një sasi konfeksionesh pa iu nënshtruar procedurave doganore, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësit të policisë kufitare.
Po kështu u procedua penalisht në gjendje të lirë A.L., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier, pranë Doganës Bllatë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.





