Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet të jetë autor i disa vjedhjeve.
Burime zyrtare nga policia e Elbasanit bënë me dije se Lavdim Alliu, 21 vjeç, banues në fshatin Gradishtë të Lushnjës, akuzohet për disa vjedhje në Librazhd.
Të njëjtat burime thanë se i riu pas konsultës me Prokurorin, u procedua penalisht në gjendje të lirë më datën 3 korrik si autor i dyshuar për vjedhje dhe në mbrëmjen e po kësaj date është arrestuar në flagrancë nga policia pasi ishte futur në banesën e shtetasit L.B., 43 vjeç, banues në lagjen e “Çakos”, Prrenjas, ku kishte vjedhur një aparat celular.
VJEDHJET
Nga veprimet e kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit dyshohet se ky shtetas ka kryer edhe disa vjedhje të tjera dhe konkretisht:
•Në lagjen “Semes”, Librazhd, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetases Xh.D., 40 vjeçe, ku ka marrë një telefon celular
•Në lagjen “Semes”, Librazhd, dyshohet se ka vjedhur në banesën shtetases Rr.Q., 56 vjeçe, ku i kanë marrë një shumë rreth 22.500 lekësh.
•Po në lagjen “Semes”, Librazhd, dyshohet se ka tentuar për të vjedhur në banesën e shtetasit F. M., 41 vjeç.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohet se i ka kryer ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale, “Vjedhje”, të parashikuar nga nenin 134/1 të Kodit Penal.





