Një studente nga Roma është ndaluar nga karabinierët italianë pas sinjalizimeve se 26 vjeçarja po tentonte të bënte pazar në qendër të qytetit duke paguar me euro false.

Në momentin e prangosjes, vajza e re po tentonte të blinte një produkt me një kartëmonedhë prej 20 eurosh. Nga kontrolli i ushtruar asaj iu gjetën 2000 euro false, në prerje prej 20 eurosh, të futura në një xhep të sajuar tek të brendshmet.

Ndërkohë, në shtëpinë e studentes u gjetën dhe u sekuestruan 12.800 euro të tjera false, në prerje të ndryshme, por me të njëjtin numër serie. Të gjitha kartëmonedhat ishin të sapo stampuara.

Në shtëpinë e saj, karabinierët sekuestruan edhe një kompjuter dhe një printer, të cilët po kontrollohen nga ekspertët.