Një shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime terrorizmi është vënë në pranga në Spanjë. Mediat spanjolle raportojnë se 35-vjeçari, identiteti i të cilit nuk dihet ende, përdore rrjetet sociale për të nxitur sulmet kamikaze.

I arrestuari ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe u vendos në pranga në kuadër të operacionit ‘Azabache’, pasi agjentë të një patrulle e ndaluan për kryerjen e një aktiviteti “të dyshimtë” në rrugët publike.

Ai mbante me vete një armë të punuar me dorë, ndaj mund të akuzohet edhe në Spanjë për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve të ndaluara.

Gjithashtu, shqiptari ka kërcënuar me vdekje agjentët spanjoll thuhet në një deklaratë të Gardës Civile.

Si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit, është  konstatuar se i arrestuari ka qenë aktiv në rrjetet sociale dhe i ka përdorur ato për të bërë thirrje për kryerjen e akteve terroriste.

Ai vlerësonte në këto platforma figurën e kamikazit, të lartësuar nga organizatat terroriste si i ashtuquajturi Shteti Islamik.