Portugali, 8 shtator 2014 – Në kampin kundërshtar, trajneri luzitan, Paulo Bento u shpreh i hidhëruar për këtë disfatë. “Ishte një disfatë e padrejtë. Gjërat nuk shkuan mirë për ne. U ndëshkuam në rastin e vetëm të krijuar nga Shqipëria por loja jonë ishte bindëse”.
Gjithsesi, Bento nuk duhet të bëjë llogaritë vetëm me humbjen, por edhe me kontestimin e tifozëve, por për këtë problem ai ka një përgjigje. “Janë situata normale që vijnë kur nuk arrijmë rezultatet që presim. I respektojmë tifozët por duhet të vazhdojmë rrugën tonë edhe pse dështuam në ndeshjen e parë”.
Pasi ka zhgënjyer totalisht në Botërorin e fundit, të gjithë prisnin që Portugalia të nisej në mënyrën më të mirë në kualifikueset e Euro 2016 që do të zhvillohet në Francë. Kapiteni i portugezve në ndeshjen e mbrëmjes së sotme u shpreh se Shqipëria i vodhi ata.
“Ka qënë një rezultat shumë negativ për ne, i tmerrshëm. Shqipëria u treguar shumë pragmatiste, mund të them se na vodhën. Kemi filluar shumë keq fazën kualifikuese. Por tani është momenti që të ringrëmë kokën, sepse kemi akoma shumë ndeshje përpara”, ka nënvizuar Nani, duke folur për mediat vendase pas ndeshjes.
Por çfarë të bëhet për t'u pastruar drama që ndodhi në Brazil? Sipas mesfushorit të Sporting Lisbonës, e vetmja gjë që shëron çdo plagë është kualifikimi në Europian, që tani vështirësohet gjithmonë e më shumë. “Duhet të kualifikohemi në Europian dhe të përmirësohemi ndeshje pas ndeshje. Por është esenciale që skuadra të ringrihet dhe të fitoj besim për ndeshjet e ardhshme”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





