Bashkimi Evropian (BE) ka thënë të premten se Serbisë i kërkohet të bëjë zgjedhje të qarta strategjike në rrugën e saj evropiane, pasi Beogradi bleu raketa balistike supersonike nga Kina.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se “kjo përfshin shmangien e varësive strategjike që nuk janë në përputhje me këtë qëllim”.
Zëdhënësi shtoi se “një rrugë e besueshme evropiane nënkupton përkushtim ndaj stabilitetit rajonal dhe një mirëkuptim të përbashkët për sfidat e sigurisë me të cilat përballet kontinenti ynë”.
Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranoi se vendi i tij ka blerë nga Kina raketa CM-400 me fuqi të madhe shkatërruese, duke nxitur reagime nga vendet fqinje.
Me këtë blerje, Serbia u bë vendi i parë, pas Pakistanit, që siguroi nga Kina raketa CM-400.
Sipas regjistrave të armëve, të disponueshëm ndërkombëtarisht, Serbia është i vetmi vend në Evropë që i zotëron ato, ndërsa është i rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s.
NATO nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.
Ndërkohë, Andrej Pllenkoviq, kryeministri i Kroacisë, e cila është anëtare e përhershme e aleancës ushtarake, njoftoi se do t’i njoftojë për këtë edhe anëtarët e tjerë të NATO-s.
“Do të bisedojmë me partnerët tanë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe do t’i paralajmërojmë për këtë lloj armatimi që është një risi në arsenalin e ushtrisë së Serbisë”, tha Pllenkoviq të enjten.
Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i tha të premten Radios Evropa e Lirë se pretendimet e autoriteteve serbe që po armatosen për t’u mbrojtur nga vendet fqinje nuk qëndrojnë, dhe me blerjet e fundit të armëve kineze ato po shpërfaqin tendencat e tyre hegjemoniste në raport me këto vende.
“Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, theksoi Maqedonci.





