4 shtator 2015 – Me rastin e njëqindvjetorit të tërheqjes përmes Shqipërisë të ushtrisë çetnike serbe (Lufta e Parë Botërore, 1914-1918), katër ushtarë serbë kanë vendosur të shkojnë në Shqipëri përmes Pejës, Bjeshkëve të Rugovës, Bjeshkëve të Nemuna, për të kujtuar 100-vjetorin e atij marshimi të ushtrisë serbe. Ky udhëtim pritet të ndodhë në muajin dhjetor, udhëtimin do ta bëjnë në këmbë. Në këtë udhëtim do të marrin pjesë: kapiteni Nenad Mitroviç nga brigada 204 e aviacionit të ushtrisë së Serbisë, Marko Nikoliq, Nemanja Neskoviç dhe Marko Markoviç, ushtarakë-alpinistët profesionistë, njofton Faton Krasniqi në televizionin virtual “tvkamenica.com”. Kjo ekspeditë e organizuar nga shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Serbe dhe nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë është emëruar: “Golgota shqiptare 100 vjet më vonë”. Kjo ekspeditë është planifikuar me qëllim të kalimit nëpër malet shqiptare, ashtu si edhe ushtria serbe në Luftën e Parë Botërore. Katër ushtarë serbë do të veshin pajisje sportive personale, ushqim për disa ditë, leva, sëpata, bajoneta, enë ushqimesh, për një qëndrim të përkohshëm, duke fjetur disa net në malet shqiptare, me vete do të kenë armë të ftohta, fishekzjarrë, busulla për orientim. Në njoftimin e Ministrisë Serbe të Mbrojtjes të datës 10 gusht 2015, kërkohet nga serbët e Kosovës dhe shqiptarët e ndershëm që këtyre katër ushtarëve serbë t’u jepet ndihma e nevojshme në rast se ata e kërkojnë, apo në rast se kanë ndonjë rrezik.
Rrugëtimi fillon nga Patrikana e Pejës, në 560 metra mbi nivelin e detit dhe përfundon në Durrës, në bregdetin e Adriatikut. Është vlerësuar se udhëtimi-ekspeditë do të duhet të kalojnë më shumë e rreth 280 kilometra në këmbë për 15 deri 20 ditë. Ushtarët deri këtu do të vijnë nga Beogradi në Mitrovicën e Veriut, të përcjellë nga njësi dhe struktura ilegale serbe të Kosovës, duke vazhduar Mitrovicë e Veriut, Vushtri, Prishtinë, Fushë Kosovë-Pejë.
Ushtarakët kanë vendosur të bëjnë “homazh për këtë gjest të popullit serb”, që një shekull më parë shkuan në të njëjtën mënyrë me shumë pasion. Ideja është që të vazhdojnë në këmbë përmes Grykës së Rugovës, nëpër malet e Çakorit, dhe të shkojnë në portin e Durrësit. Njëlloj si në rrugëtimin e ushtrisë serbe 100 vjet më parë, nga Durrësi do të hipin në një anije të marinës franceze dhe pastaj do të shkojnë në Korfuz.
“Si paraardhësit tanë njëqind vjet më parë. Dhe kështu e ekspedita e ushtrisë serbe “Golgota shqiptare 100 vjet më vonë” do të përfundojë”, deklaroi komandanti Nenad Mitroviç. Këta katër ushtarë serbë janë mirinformuar për luftën dhe rrugëtimin e ushtrisë serbe nëpër Shqipëri, për faktet historike. Ata kanë biseduar me historianët, të cilët i kanë këshilluar në zgjedhjen e rrugëve, duke u dhënë harta shumë të vjetra të territorit shqiptar.
“Koha është e mjaftueshme për të përfunduar përgatitjen. Vetëm duhen rregulluar të gjitha problemet e mundshme administrative për hyrje në territorin e një vendi tjetër. Dhe nëse ndodhin probleme, kemi planin B si gjithmonë. Ne kemi vullnet, dëshirë, motiv të fortë për të arritur diçka që deri tani askush s’e ka bërë. E nëse na sulmojnë shqiptarët, do t’i presim si në Luftën e Parë Botërore”, qesh ushtaraku dhe komandant Nenad Mitroviç gjatë intervistës së tij.
Sipas Marko Markoviç, “udhëtimi është një pelegrinazh. Motivi kryesor është të ecim për nder të paraardhësve dhe të bëjmë homazhet pranë varreve të tyre në Shqipëri. Ne presim të gjejmë gjurmët e tërheqjes dhe të kalimit të ushtrisë serbe në Luftën e Parë Botërore nëpër Shqipëri, duhet të gjejmë rrugët kryesore, monumentet, varret e historisë sonë të lavdishme për të cilën shumë pak kemi njohuri” .
“tvkamencia.com" e konsideron këtë udhëtim provokacion të Beogradit dhe shkelje të sovranitetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk dihet nëse organet kompetente të Prishtinës dhe Tiranës do të japin miratimin.
Info / Humbjet serbe, më të rënda po të mos ishte Esat Toptani
Tërheqja e ushtrisë serbe në Shqipëri në fund të 1915-s dhe në fillim të 1916-s e vunë aleancën e Esad Pashës para një prove serioze. Në rajonet ku nuk shtrihej autoriteti i tij, veçanërisht në pjesët veriore të vendit mes fiseve katolike, trupat serbë u detyruan të ndërronin rrugën deri në portet e Adriatikut, ku po i prisnin anije aleate. Xhandarmëria e Esad Pashës ndihmoi ushtrinë serbe, siguroi korridore të sigurta, strehim dhe ushqim, dhe u angazhua në perleshje me çeta shqiptare që sulmuan trupat serbë dhe vodhën refugjatët e paarmatosur. Esad Pasha nxori një shpallje të veçantë duke u bërë thirrje shqiptarëve të ndihmonin ushtrinë serbe dhe informoi komandantët ushtarakë mbi avancimin e forcave të armikut, lindjen e çetave rebele dhe disponimin e fiseve të veçanta.
“Golgota shqiptare” ishte gjyqi më i madh ushtarak i popullit serb. Nga 220.000 ushtarë që kaluan përmes Shqipërisë në drejtim të Korfuzit dhe Bizertës, vetëm 150.000 arritën në destinacion, nga rreth 200.000 refugjatë të shpërndarë nëpër shkrepat dhe kënetat e bregdetit shqiptar mezi një e treta (60.000 persona) i shpëtoi vdekjes. Humbjet e Serbisë do të kishin qenë shumë më të rënda sikur të mos ishte Esad Pasha dhe pasuesit e tij gjatë tërheqjes dhe të hipjes në anije.
Gjatë tërheqjes Esad Pasha mbajti kontakte me qeverinë serbe. Ai refuzoi propozimet e Pashiçit për të shpallur paktin e tij me qeverinë serbe dhe për të pranuar zyrtarë serbë në administratën e tij, duke shpjeguar se armiqtë e tij ishin gjithmonë gati ta quanin Esadoviç për shkak të aleancës së tij me Serbinë. Ai donte që aleatët ta garantonin se Italia nuk do të pushtonte të gjithë Shqipërinë pas tërheqjes së ushtrisë serbe. Duke e kuptuar se trupat austro-hungarezë së shpejti do të merrnin Durrësin, Esad Pasha i propozoi Pashiçit që të transportohej drejt Korfuzit me qeverinë dhe xhandarmërinë e tij, në mënyrë që të ishte në gjendje, kur të fillonte ofensiva aleate, të zinte pozicione në krahun e majtë të ushtrisë serbe dhe të operonte në drejtim të Shqipërisë. Me kërkesë të diplomacisë italiane, Esad Pasha dhe disa qindra xhandarë kaluan në fund të shkurtit të vitit 1916 në Brindizi, të shoqëruar nga i ngarkuari me punë i Serbisë. Para largimit, ai u shpalli luftë Fuqive Qendrore, duke marrë mbi vete përgjegjësinë e plotë për bashkëpunimin e tij me Serbinë dhe Fuqisë e Antantës.
Me gjithë premtimet se do të njihej si princ shqiptar, dhe i ballafaquar me përpjekjet e hapura të qeverisë italiane për të ushtruar ndikim të plotë mbi atë, Esad Pasha vazhdoi rrugën për në Francë për të kërkuar mbështetjen nga diplomacia aleate. Qarqet politike në Paris e pranuan si kryeministër të një qeverie legjitime. Ekspertët ushtarakë vlerësonin se Shqipëria ishte rezervat ushtarësh të mirë që mund të ishin në krahë të aleatëve vetëm në saj të Esad Pashës. Në fund të gushtit Esad Pasha arriti në Selanik me një anije franceze. Me ndërmjetësimin e diplomacive serbe dhe greke, qeveria e tij fitoi statusin e një kabineti të aleancës në mërgim. Kampi i Esad Pashës prej 1.000 xhandarësh dhe pasuesish nën komandën e oficerëve shqiptarë, ndodhej në fushëbetejën e Selanikut. I vendosur në pozicione përballë Shqipërisë, ai vepronte në përbërje të armatës franceze lindore. Sipas objektivave të Pashiçit, kampi i tij duhej të vepronte i përzier me trupat serbe drejt Kosovës dhe Shqipërisë së Veriut.
Gjatë punës në Selanik, Esad Pasha u përpoq vazhdimisht të siguronte premtime të prera nga Franca dhe Britania e Madhe që kur lufta të mbaronte, sundimi mbi Shqipërinë nuk do t’i jepej Italisë, dhe se ai do të lejohej të rivendoste administratën e tij në vend. Në fund të vitit 1916 Korça u shpall republikë autonome, nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze, dhe pushteti iu dha liberalëve vendas. Esad Pasha u ankua te Pashiçi për veprimet e komandës ushtarake franceze, dhe paralajmëroi për një rrjet intrigash italiane, duke theksuar se ai e kishte lidhur fatin e tij me Serbinë. Ai kishte frikë se trupat italiane në Gjirokastër po përgatitnin atentat. Por gjenerali Ferrero Giazzinto shpalli shtetin e Shqipërisë, në fillim të qershorit 1917, nën protektoratin italian.
Marrë nga Dusan T. Batakovic “Serbian Government and Essad Pasha Toptani”
/th. m. portali “Durreslajm”/