Tiranë, 21 korrik 2014 – Mjekët që nuk do të marrin provimin e shtetit do u pezullohet licenca, ndërkohë që ata që nuk kanë marrë asnjë kredit do pezullohen nga puna. Deklarata u bë nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj në një takim mbi Programin e Ricertifikimit 2010-2014 me drejtuesit e institucioneve shëndetësore. Ai theksoi se mjekësia në Shqipëri ka mungesë të trupit mjekësor dhe mungesë cilësie.

“Prej vitesh ka boshllëqe në trupën mjekësore. Ka mungesë mjekësh dhe cilësie. Ka ende profesionistë me zero kredite, por ka edhe mjekë me standarde që duhen inkurajuar.Për këdo mjek që deri në fund të vitit do jenë me 0 kredite masat do jenë të menjëhershme, do largohet nga puna dhe vendet do shpallen vakante. 

Këta profesionistë e rifitojnë të drejtën vetëm pas ridhënies së provimit të shtetit. Ata që nuk kanë kredite të mjaftueshme brenda 6 muajsh duhet të rihyjnë në provimin e shtetit. Nëse pas 6 muajsh nuk do kenë marrë provimin shtetit vendi i tyre del vakant dhe u pezullohet licenca”,- tha Beqaj. 

Beqaj bëri me dije se do i jepet fund hapësirave për shantazh nga mjekët që janë nëpër rrethe.

“Mos mendojë ndonjë mjek, që është në ndonjë spital në një rreth, i vetëm të na shantazhojë që doni s’doni unë do jem këtu. Jemi të vetëdijshëm për boshllëqe në trupin mjekësor, po më mirë të vetëdijshëm për një boshllëk, se një shërbim që na rrezikon vazhdimisht”– u shpreh ministri i Shëndetësisë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/