Plot 23800 pushues dhe turistë kanë marrë ndihmë mjekësore në të gjitha qendrat shëndetësore turistike të çelura në të gjithë vendin që prej 15 qershorit. Shifrat janë bërë publike nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë një vizite pranë qendrës shëndetësore të ngritur posaçërisht për sezonin turistik te zona e Malit të Robit, i shoqëruar edhe drejtori i spitalit rajonal të Durrësit, Alban Ramohitaj.
Kreu i shëndetësisë ka pohuar se me ofrimin e këtij shërbimi në zonat turistike, ky sezon ka qenë edhe më i plotë për turistët.
“Praktikisht, nga nisja e këtij shërbimi më 15 qershor deri në fund të javës së parë të gushtit, jemi në 23800 pushues që kanë marrë shërbimin në këto qendra shëndetësore, dhe ne besojmë se u kemi plotësuar atyre pushimet, kemi kontribuuar në një sezon turistik të suksesshëm, por japim edhe më shumë garanci për operatorët turistikë që në paketat e tyre të ofertave kanë edhe këtë element garancie minimale”, nënvizoi ministri.
Nga ana tjetër, mjekët e kësaj qendre kanë treguar se rastet më të shpeshta te fëmijët janë gastroenteritet, infeksionet dhe pickimet nga insektet apo peshqit, kurse tek të rriturit, problemet kardiake dhe diabeti. Numri i rasteve ka ardhur duke u shtuar, sidomos këtë 3-javëshin e fundit, duke shkuar deri në 40-50 vizita përgjatë 24 orëve.
“Deri më sot, kemi realizuar 1500 vizita, ku pjesa më e madhe kanë qenë fëmijë me infeksione të rrugëve të sipërme respiratore, por edhe gastroenterite apo reaksione alergjike, kurse pjesa tjetër i takon moshave më të mëdha me kriza hipertensive apo çrregullime të diabetit”, ka pohuar Esmeralda Zaçe, mjeke pranë kësaj QSH-je.
Ajo ka theksuar se QSH-ja është e pajisur me të gjitha barnat dhe aparaturat e duhura për të trajtuar urgjencat e ndryshme. “Shërbimi shëndetësor ka funksionuar nga 15 qershori deri më sot, përgjatë 24 orëve, duke u përpjekur që t’u përgjigjemi të gjithë urgjencave në kohë sa më të shpejtë të mundshme, duke pasur si ndihmesë furnizimin e plotë me barna dhe të gjitha materialet e mjekimit që na duhen për të përballuar këto raste, që nga defibliratori, EKG-ja, glukometri, saturometri, si dhe autoambulanca, e cila na është përgjigjur në çdo kohë”, theksuan bluzat e bardha.
Gjatë 2 javëve të fundit, në të gjitha qendrat shëndetësore turistike është vëne re një rritje e numrit të pacientëve për shkak të fluksit të madh të pushuesve në këto zona.





