Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur në SPAK mëngjesin e kësaj të hëne, teksa pritet t’i komunikohet akuza për “shpërdorim detyre” për çështjen e sterilizimit.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të sterilizimit dhe ka vënë nën akuzë 9 persona. Mes tyre është edhe Beqaj ndaj të cilit është caktuar më herët masa e detyrimit për t’u paraqitur.
Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.
Në këto kushte SPAK ka vënë në akuzë dhe Ilir Rrapaj në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj, të cilët aktualisht ndodhen në burg.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ata kanë konsumuar veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë sa i takon 6 ish-zyrtarëve dhe anëtarëve të Komisionit të Ofertave, SPAK pritet t’i komunikojë akuzat ditën e sotme.
2 prej tyre janë në masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa 4 të tjerë atë të “detyrimit për t’u paraqitur”.