6 janar 2014 – Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka vënë në dukje se ndonëse buxheti është më i madh se ai i vitit që sapo lam pas, ende ka specialitete të cilat janë me pakicë, për të cilat ka mungesa të theksuara të mjekëve. Sipas tij, shëndetësia ka mungesë të theksuar të burimeve njerëzore, duke e konsideruar si një problem shumë shqetësues.
Më tej ai theksoi se në vend ne na mungon sistemi, pasi mjekët kanë punuar gjithmonë në emergjencë. Beqaj nuk nguroi të specifikojë shumë çështje për të cilat kanë ngecur në shëndetësi, referuar shpërdorimit, si shpërndarjen në mënyrë jo të drejtë të burimeve njerëzore, sikundër dhe pajisjeve të shtrenjta të cilat nuk përdoren për një shtesë fondi dhe i lënë ato në harresë.
Ministri Beqaj citoi se buxheti i shëndetësisë është 2.4 mld lekë më i madh se ai i vitit 2013. Më tej, ai premtoi se do të ulen me 20-25% çmimi i barnave në treg. "Është 38.7 miliardë lekë. Është 2.4 miliardë lekë më i madh se buxheti në 2013, faktik, dmth 6.6% më i madh. Nëse do kemi parasysh që nga 1 prilli do hiqet TVSH për barnat, me këto para do kemi më shumë mundësi për të blerë barna, apo për t’i përdorur për skemën e rimbursimit. Do kemi 33 milionë dollarë më shumë, 1.1-1.2% më shumë se buxheti faktik i 2013. Është një buxhet me të cilin mund të fillojmë të bëjmë veprimet e para serioze".





