Maqedoni, 28 gusht 2914 – Në zonat e prapambetura fshatare të Maqedonisë vajzat e gratë e reja migrojnë drejt qyteteve për të gjetur punë, me shpresën e një jete më të mirë. Në këto zona ka një numër të madh djemsh dhe burrash beqarë, që nuk gjejnë dot nuse për t’u martuar. Tipik është rasti i komunës së Makedonski Brod-it me 8 500 banorë dhe 19 fshatra. Për të zgjidhur këtë hall të fshatarëve maqedonas, kryetari i komunës Miloshim Vojneski, në bashkëpunim me Ambasadën e Maqedonisë në Kiev dhe me shpenzimet e komunës, prenotoi një autobus, që do çonte 24 beqarë maqedonas të moshës nga 35-50 vjeç në Ukrainë për të parë mundësinë e gjetjes (blerjes) së nuseve atje.
Projekti i kryekomunarit Vojneski dështoi për shkak të luftës ruso-ukrainase. Tashmë e vetmja mundësi, që fshatarët beqarë maqedonas të gjejnë nuse mbetet Shqipëria. Kryekomunari po punon intesivisht, që projekti ukrainas të zëvendësohet me projektin shqiptar. Kryekomunari ka gjetur edhe mbështetjen e nëpunësve të Ambasadës së Maqedonisë në Tiranë.
Në fshatin Brets me 150 banorë (20 vjet më parë fshati kishte 400 banorë, shumica të punësuar në fabrikën e municioneve “Suvenir” , një lloj Poliçani maqedonas) ka 23 beqarë dhe asnjë kandidate për nuse. Shembulli i Goran Tripkovskit, 43 vjeç është shpresa e vetme për fshatarët e Brestit. Ai 7 vjet më parë u martua me shqiptaren (nga Republika e Shqipërisë) Alida, 12 vjet më të vogël. Mjaftoi një gjysëm ore bisedë, një shumë e vogël eurosh dhe martesa u rregullua për mrekulli.
Sot Gorani ka dy fëmijë, një vajzë 6 vjeçe dhe një djalë 4 vjeç. Vajza është një nga 50 nxënësit e vetëm, që ka shkolla e fshatit. Në këtë shkollë jep mësim një mësues shëtitës, që mbulon edhe 4 shkolla të tjera me nga 2-10 nxënës.
Gorani është i lumtur, e dashuron gruan e vet dhe e quan veten me shumë fat, sepse Alida kishte përvojë me punët e bujqësisë e të shtëpisë, dhe nuk ishte e lyer dhe e zhgërryer me make-up si femrat maqedonase, që e kanë mendjen të shkojnë në qytet si psh. në Shkup, Ohër, Gjelgjevi etj.
Në këtë zonë malore e të prapambetur të Maqedonisë, nuset shqiptare kanë ndihmuar në mosbraktisjen e fshatrave dhe në furnizimin në të ardhmen të shkollave lokale me nxënës. Kryekomunari Vojneski me krenari shprehet për median online Vocativ.com se vetëm katër vitet e fundit në këtë zonë kanë ardhur 79 nuse shqiptare dhe kanë lindur 109 fëmijë nga martesat e përzjera dhe vetëm 7 fëmijë mga martesat me nuse maqedonase. Për pak para rregullohet një vizitë në Shqipëri veçanërisht në zona malore, ku me ndihmën e përkthyesit dhe të mblesit lokal mund të gjesh një nuse të shkëlqyer, që përshtatet kollaj me mënyrën e jetesës në fshatrat malore të Maqedonisë.

Ne kete foto kryekomunari Vojneski kontraston fort me bashkëfshatarët e tij beqarë të djegur nga puna e rëndë në ara.

Disa nga beqarët e fshatit të gatshëm për të provuar fatin me nuse shqiptare

Ky beqar është me të vërtet i privilegjuar, sepse ka makinë private (Renoja me targa Ohri), dhe ka ndërtuar banjo të re në shtëpinë e vjetër (duket muri i banjos me tulla, që kontraston me murin e vjetër me gurë të shtëpisë)

Ky është beqari Toni Kërsteski, 50 vjeç kandidat për nuse shqiptare, edhe ky ka makinë të vetën

Ky është beqari Drago Milevski, 41 vjec. Ai është polic dhe beqari më trendi i fshatit. Drago është i shenjës së ujorit dhe i pëlqen peshkimi sportiv dhe gjuetia.

Goran Trpkoski, 43 vjeç dhe bashkëshortja shqiptare Alida, 31 vjeçe në dyqanin e vet në fshatin maqedonas Brest. Gorani konsiderohet si i pasur në fshat, sepse krahas këtij dyqani, ka tokë, vreshtë, shtëpi dy katëshe dhe një makinë

Nusja shqiptare Alida Trpkoski me të bijën 6 vjeçe, Biljanën, që mban emrin e vjehrrës maqedonase

Ky është Daniel Trpkoski, 4 vjeç, i biri i Alidës dhe Goranit
/gje. th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





