Teuta fitoi 0-1 ndaj Laçit në kuadër të javës së shtatë në Superligë. Në këtë formë durrsakët hoqën edhe tersin ndaj kurbinasve në sezonet e fundit. Autori i golit, Ledio Beqja, u shpreh se ishte një fitore e vështirë, mirëpo e merituar.

Ledio, sa vlen ky trepikësh në një transfertë si ajo e Laçit?

Padyshim që të tilla fitore marrin vlerë të dyfishtë, pasi ishte një fitore karakteri. Që në fillim kemi besuar te ky ekip. Në Laç shkuam me besim për të marrë pikët e plota, por e dinim që do të ishte e vështirë. Fitorja është e merituar.

Veç golit, po bëni dhe paraqitje të mirë në fushë. Sa i kënaqur jeni me formën tuaj?

Në çdo moment jam shumë i përqendruar, por edhe ketë ndeshje, pasi e dija rëndësinë e kësaj sfide. Ishte një takim shumë i luftuar, e patëm jashtëzakonisht të vështirë. S’kam bërë gjë akoma, jam me këmbë në tokë dhe rëndësi ka të ecë ekipi mirë. Unë po rritem dhe kam fatin që jam lojtar me eksperiencë në ekip. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe të paraqitem sa më mirë në ekipin e Teutës.

Luani me Tiranën të dielën, çfarë prisni nga ky takim?

Përballë është një ekip shumë i fortë, besoj se një nga ekipet më të mira të kampionatit. Rëndësia e kësaj ndeshje dihet. Ne do të futemi në fushë me besimin maksimal që të marrim maksimumin, nuk hyjmë në fushë me mendimin që thjesht mos të humbasim. Ky kampionat ka treguar që nuk ka diferenca, por kush përqendrohet dhe jep më të mirën në fushën e lojës arrin të fitojë. Fitorja me Tiranës do ishte një bonus i madh për vazhdimësinë.

I druheni Tiranës në këtë përballje?

Nuk i druhemi, jo Tiranës, por asnjë kundërshtari. Të gjithë mund të fitojnë apo të gjithë mund të humbasin. Jemi shumë të qetë, nuk kemi presion.