Teuta kërkon të rikthehet te fitorja ndaj Kukësit, një ndeshje që do të luhet të dielën në stadiumin e Kamzës.
Edhe pse e dinë që nuk do të jetë e lehtë për të siguruar Europën, në Durrës janë të “dënuar” për të kërkuar tri pikët ndaj Kukësit. Mbrojtësi i krahut, Fabian Beqja, shfaqet optimist para kësaj transferte, duke theksuar se ekipi do të kërkojë fitoren.
Ndeshja e radhës me Kukësin, mendoni se mund t’i merrni tri pikë ndaj një rivali të tillë?
Për të qenë të sinqertë, me Kukësin është një ndeshje shumë e vështirë, pasi dhe kundërshtari do të tentojë tri pikët. Por, ne do të futemi në fushë për të fituar. Dihet që aty ka lojtarë shumë të mirë dhe do të jetë sfidë e luftuar. Shpresojmë te një rezultat pozitiv, pasi vetëm kështu mund të afrohemi me Ligën e Europës.
Ju kënaq edhe një barazim me Kukësin?
Ne, jo vetëm në Kukës, por kudo kemi shkuar vetëm për fitore. Të tjerat do t’i tregojë fusha e lojës.
E mendonit këtë ecuri të skuadrës në fillim të edicionit?
Këtë edicion e nisëm me objektiva të qartë dhe me ide të duhura. Normalisht që jo vetëm unë, por të gjithë besuam te projekti dhe te forca jonë. Rezultatet e fundit nuk kanë qenë të mira, por tani jemi të motivuar për të vazhduar përpara dhe për të bërë akoma më mirë.
Ka diçka që nuk do dëshironit të përsëritej nga ky kampionat?
Mendoj se nuk duhet të përsëriten më disa ndeshje që mund të kemi gabuar dhe ndoshta kemi nënvlerësuar. Kjo duhet të eliminohet plotësisht, pasi jam i bindur se jemi të aftë për ta ndryshuar dhe për të vazhduar rrugën që kemi nisur.
Si jeni ndjerë gjatë këtyre pesë sezoneve te Teuta?
Gjithmonë jam ndier mirë. Jetojmë me një tifozëri për t’u respektuar dhe besoj se me punën dhe rezultatet tona i kemi bërë për vete. Në ndeshjet e mbetura do të dëshironim sa më shumë tifozë në stadium, pasi janë lojtari i 12–të për ne. Ata na japin krahë dhe zemër kur jemi në fushë.





