TIRANË, 11 shkurt 2013 – Sekretari për Çështjet Ekonomike pranë PS-së, Ilir Beqja, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët për fushën e shëndetësisë vuri në dukje problematikat që ekzistojnë në këtë sistem si dhe në atë të sigurimeve shëndetësore.
Sipas Beqaj, problematikat më të theksuara në sistemin e shëndetësisë dhe gjendja mjaft kritike në të cilën ndodhen shumë shërbime që ofrohen nëpër qendra shëmdetësore, poliklinika, apo spitale publike vijnë si pasojë e buxhetit mjaft të ulët të akorduar për shëndetësinë.
I pyetur nga gazetarët se a mund të mbulojë një buxheti i vogël, si ai i vendit tonë, kostot e parashikuara në programin e PS-së për shëndetësinë, Beqja iu përgjigj se "shëndeti i çdo qytetari është i vlefshëm, ndaj duhet të jemi të gatshëm të paguajmë këtë kosto".
Duke iu referuar organizmave të ndryshme ndërkombëtare, Beqja tha se "shqiptarët shpenzojnë vetëm 6% të GDP-së për shëndetësinë". Ai siguroi se Partia Socialiste do të ofrojë shërbim shëndetësor për këdo që ka nevojë dhe pamundësi për të paguar. "Ne socialistët kemi këtë vizion: shërbime publike sipas nevojës dhe jo sipas takatit të xhepit për të paguar",- theksoi Beqja.