TIRANE, 10 korrik 2013 – Kryesuesi i Partisë Socialiste në grupin e punës të programit qeverisës Ilir Beqja e ka cilësuar si mjaft të rëndë situatën ekonomike në vend.
Ndërsa ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit në detyrë Sali Berisha se po i dorëzon mazhorancës së re një ekonomi të stabilizuar, Beqja i kërkoi qeverisë të tregohet e vetëpërmbajtur në vendime.
Ai ka kërkuar nga Ministria e Financave të bëjë publike treguesit fiskalë për 6 muajt e parë të vitit.
“Gjendja e rëndë ekonomike është një nga sfidat që do të ketë qeveria e re. Vetëm në 6 muajt e parë të vitit qeveria në ikje ka ezauruar 90 % të deficitit buxhetor, me legjitimitetin që ka buruar nga vota e 1 milion shqiptarë i kërkojmë Ministrisë së Financave që deri në betimin e qeverisë se re të bëjë publike treguesit fiskal për 6 muajit e vitit, të ushtrojë detyrat e ligjit për mbledhjen e tatimeve, të garantojnë se në periudhën 12 deri në 30 korrik të garantohen pagesat e ndihmës ekonomike është personave me aftësi të kufizuar ekonomike” apeloi Beqja.
Sipas tij, shqiptarët votuan për t’i dhënë fund rrënimit dhe detyra e vetme që u mbetet të bëjnë qeveritarëve në ikje është të tregojnë përgjegjshmëri e vetepërmbajtje në shërbim të interesave të vendit.
“Detyra e qeverisë në ikje është të tregojë përgjegjshmëri dhe vetëpërmbajtje në vendime” ka përfunduar Beqja.





