6 dhjetor 2013- Ministria e Shëndetësisë ka përshëndetur fuqimisht aksionin e Policisë së Shtetit për arrestimin në flagrancë mëngjesin e sotshëm të mjekut Ilir Broqaj, 41 vjeç, pas një hetimi një mujor në kuadrin e operacionit policor “Skaner 2013” në ambjentet e Qëndrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, është, edhe një herë, shembull i qartë i vullnetit të palëkundur politik të qeverisë së re për të luftuar vendosmërisht korrupsionin.
Ministria e Shëndetësisë shpreh mbështetjen e saj të plotë për çdo nismë dhe hap të ndërmarrë për shërimin e sistemit të kujdesit shëndetësor nga plaga e vjetër e korrupsionit, siç e kanë treguar edhe rastet e tjera më herët në tetor dhe nëntor, ku disa punonjës të sistemit të kujdesit shëndetësor janë përballur me pasojat e thyerjes së ligjit.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë, është e vendosur për të ndërmarrë hapa konkretë dhe të prekshëm, dhe për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë rasteve të tilla ku mjekë dhe punonjës të tjerë të sistemit shëndetësor përfitojnë financiarisht në mënyrë të pamerituar për shkak të profesionit nga qytetarët, të cilët kanë nevojë për ndihmë mjekësore.





