08 Mars 2015 – Prokuroria e Beratit ka dërguar për gjykim kryetarin e komunës Perondi, Rexhep Hajdarin, për "shpërdorim detyre" si dhe katër persona të tjerë, pasi akuzohen për "falsifikim dokumentesh".
Sipas burimeve nga Prokuroria, kryekomunari Hajdari dhe 4 personat e tjerë janë hetuar në gjendje të lirë.
Duke u bazuar tek hetimet e Prokurorisë, hetimet kanë nisur pas kallëzimit të një shtetasi , ku ky i fundit ka bërë me dije se kryekomunari Hajdari u ka shitur një sipërfaqe toke 4 personave, e cila i përkiste kallëzuesit. Hajdari e ka konsideruar këtë siperfaqe toke një hapësirë publike dhe ua ka shitur shtetasve: Elmas Mema; Refat Pire; Barjam Putro dhe Mylaim Pire, këta të fundit kanë falsifikuar dokumentet duke u bërë pronarë.
Pas këtyre hetimeve, Prokuroria e Beratit ka ngritur akuzë ndaj 5 shtetasve, për kryekomunarin Rexhep Hajdarin rëndon akuza për "shpërdorim detyre", ndërsa për 4 personat e tjerë ajo e "falsifikimit të dokumenteve".





