20 nëntor 2015 – Igli Tare nuk do ta lërë Lacion vetëm me një futbollist kuqezi, konkretisht Etrit Berishën, pas largimit të Lorik Canës dhe Thoma Strakoshës në verë, por do t’i sjellë një tjetër bashkëlojtar të kombëtares te bardhekaltrit. Merkatoja e dimrit po afron dhe drejtori sportiv i kryeqytetasve ka nisur të mendojë për përforcimet e mundshme.

Mediat italiane bëjnë me dije se te Lacio ka lindur ideja “Berat Gjimshiti”. Më saktësisht, Tare është vënë në gjueti të mbrojtësit qendror, që nuk ka pranuar të rinovojë me Zyrihun. “Calciomercato.it” zbulon se Lacio e kërkon qendërmbrojtësin e ri në merkaton e janarit. Bardhekaltrit janë mbërthyer nga lëndimi i rëndë i holandezit DeVrij, i cili do të jetë i detyruar të qëndrojë jashtë fushave për shumicën e sezonit, ndaj po shohin në merkato, janë në kërkim të një alternative të besueshme.

Shumë emra janë në listën e drejtorit sportiv, Igli Tare, i cili njihet si nje person mjaft i kujdesshëm në merkaton europiane të futbollit. Lacio, në vitet e fundit, i ka mësuar fansat e saj me blerjet e mbrojtësve gjysmë të njohur, por pastaj ka rezultuar një biznes i shkëlqyer me kalimin e kohës. Sipas raporteve nga “La Republica”, emri i fundit që po qarkullon te Lacio është Berat Gjimshiti, mbrojtësi qendror, i lindur në vitin 1993, në pronësi të Zyrihut.

Mbrojtësit shqiptar i skadon në qershor kontrata dhe tashmë ishte i lidhur me bardhekaltrit. Ai nuk ka pranuar të rinovojë, kështu që klubi zviceran do të jetë i interesuar ta shesë në janar, që të përfitojë ca para, në të kundërt Gjimshiti largohet me parametra zero në qershor.

/portali DurresLajm/