Ankth për Berat Gjimshitin dhe kombëtaren shqiptare.
Mbrojtësi kuqezi ka pësuar një dëmtim në fitoren 2-0 që Atalanta regjistroi kundër Torinos, për të ngritur alarmin në kampin bergamask. Gjimshiti la fushën duke çaluar para përfundimit të pjesës së parë, pas një përplasjeje të fortë me ish-shokun e skuadrës, Duván Zapata, tashmë pjesë e Torinos.
Episodi ndodhi në një duel ajror, ku Zapata u përplas me Gjimshitin, i cili u shtri në fushë duke ndier dhimbje të forta.
Tre minuta më vonë, mbrojtësi i Atalantës u detyrua të largohej nga loja, duke u zëvendësuar nga Isak Hien.
Sipas informacioneve të para, Gjimshiti ka pësuar një dëmtim në kockën e majtë të kofshës, që përfshin edhe muskulin oblik të barkut.
Ai u dërgua menjëherë në spital për ekzaminime të detajuara, të cilat përjashtuan fatmirësisht ndonjë thyerje.
Koha e rikuperimit të mbrojtësit ndërkombëtar shqiptar do të përcaktohet në ditët në vijim, pas vlerësimeve të mëtejshme mjekësore, teksa besohet të rikthehet në fillim të muajit shkurt.
Forma e kapitenit do të jetë vendimtare edhe për kombëtaren shqiptare, e cila synon të mbështetet te cilësitë dhe eksperienca e mbrojtësit për të realizuar ëndrrën: kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026.





