Fondi pyjor në rajonin e Beratit, si në shumë zona të tjera të Shqipërisë, ka njohur një degradim të pandërprerë gjatë 25 viteve të fundit, por me hyrjen në fuqi të moratoriumit 10-vjeçar të pyjeve dhe zbatimin e programit të sezonit vjetor të pyllëzimit tashmë qytetit po i rikthehet kurora e tij e gjelbër. Afro 5 000 pisha të egra u mbollën përgjatë një sipërfaqeje prej 2 hektarë, pranë lagjes muzeale të Goricës. Rehabilitimi i kësaj zone, e dëmtuar rëndë në vitin 2012 për shkak të një zjarrvënie të qëllimshme, do të parandalojë një problem akut për qytetarët e Beratit. “Mbjelljet në zonat e dëmtuara krijojnë një bazë të mirë që brenda pesë vitesh të ketë një rehabilitim që në 10 vjet kohë të ndihet kudo,” – deklaroi kryeministri Edi Rama, i cili sëbashku me ministrin e mjedisit Lefter Koka ndoqi nga pranë procesin e rigjelbërimit.
“Është i domosdoshëm shoqërimi i moratoriumit me forcimin e masave ndëshkimore për krimet mjedisore. Paketa që do të kalojmë së shpejti në Parlament do të kompletojë kuadrin ligjor dhe do të krijojmë një ekuilibër midis punës intensive për ripyllëzim dhe kontrollit shumë të rreptë për cenimin e sipërfaqes apo qoftë një peme të vetme, sepse nëse nuk funksionon e dyta, e para është si një mur i Kështjellës së Rozafës, ndërto ditën dhe prish natën,” – shtoi kryeministri Rama.





