TIRANË, 8 shtator 2013 – O Berat, ç’e pate “fat”: atje ku më 13 gusht 2013 u rrëzua një helikopter i kompanisë italiane për rilevime sizmike Geotec SPA, në mesnatën e së shtunës e së dielës, u ndien lëkundje toke. Më 8 shtator 2013, ora 0:26:29 (GMT) ose ora 2:26:29 (koha verore e Shqipërisë, +2 GMT), rrjeti sizmik shqiptar ka regjistruar një tërmet me forcë M=3 me epiqendër në thellësinë 7 km, sipas sizmologëve shqiptarë, ndërkohë që sizmologët mesdhetarë japin thellësinë 2 km. Departamenti i sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të universitetit publik Politeknik të Tiranës e lokalizon ngjarjen tektonike në një largësi 13 km në vijë ajrore në jug të qytetit të Beratit, në koordinatat 40.58°V, 19.95°L (shih hartën nr. 1, pika e kuqe). Me google earth zbulohet se vendndodhja e lëkundjeve është në lartësinë 400 metra mbi nivelin e detit (shih hartën nr. 2 shigjeta e gjelbër). Më saktë ngjarja sizmike ka ndodhur në fshatin Molisht të komunës së Sinjës përballë fshatitLugas të komunës së Tërpanit (shih hartën nr. 3, pika e kuqe me kryq dhe foton satelitore, shigjeta e gjelbër). Nuk ka njoftime zyrtare për viktima apo dëme materiale.

PËRKIMI

Ka një përkim interesant: 3 javë më parë, më 13 gusht 2013, sikurse është njoftuar, këtu u rrëzua sapo u ngrit një helikopter (shih foton) për kërkime sizmike me dinamit i kompanisë italiane Geotec Spa, kontraktuar, qysh në dhjetor 2010, nga kompania ndërkombëtare e kërkimit të naftës me seli në Kanada Petromanas Energy Inc. U raportua se u plagos piloti, i cili mori plagë të lehta dhe u mjekua në Tiranë. Nga ana tjetër, ky incident, sipas njoftimit të 22 gushtit 2013 të kompanisë kanadeze, ka bërë që të pezullohen rilevimet sizmike deri sa të sqarohen arsyet e aksidentit. Në Molisht, aty ku u regjistruan lëkundjet e tërmetit, ka rezerva të mëdha nafte, që Petromanas-i i llogarit me 142 milionë fuçi nafte. Këtu po ndërtohet pusi Molisht-1(shih infot dhe fotot). Por tërmeti i mesnatës së 8 gushtit nuk ka lidhje me punimet për kërkim nafte. Vetë kompania po interesohet për pamjen sizmike të zonës. Më 27 tetor 2012, në përurimin e pusit Shpirag-2 mori pjesë dhe Kryeministri i kohës Sali Berisha. Për hollësi të mëtejshme për këtë zonë “Dyrrah”-u ka një shtesë me informacion dhe foto për kompaninë Petromanas.

Info gjeografike

Komuna Sinjë ka nën përbërje fshatrat Sinjë, Levan, Mbolan, Mbjeshovë, Mbreshtan, Galinë, Sadovicë, Paftal, Kamçisht, Velçan, Osmënzezë 1, Osmënzezë 2, Plashnik i Vogël, Molisht. Komuna Tërpan ka nën përbërje fshatrat Tërpan, Teman, Paraspuar, Tozhar, Vokopolë, Dodovec, Rehovë, Zhapokikë, Çorrogjaf, Panarit, Plashnik i Madh, Lugas, Zhitom i Madh, Zhitom i Vogël.

Info / Komente të Petromanas Energy Inc mbi incidentin e helikopterit në Shqipëri:

Calgary, Alberta, 13 gusht 2013 – Kompania Petromanas Energy Inc. ka marrë njoftim nga kontraktuesi saj për kërkime sizmike në Shqipëri, Geotec Spa, rreth një incidenti që përfshiu një helikopter në pronësi të një nën-kontraktuesi të tretë, ngjarje që ka ndodhur rreth orës 13:10 (sipas kohës së Evropës Qendrore), më 13 gusht 2013. Helikopteri u rrëzua menjëherë pas nisjes nga baza e tij operacionale në Shqipëri. Në helikopter nuk kishte pajisje sizmike atë kohë dhe në bord ishte vetëm piloti, i cili pësoi lëndime të papërcaktuara, por mendohet se plagët nuk përbëjnë rrezik për jetën. Piloti u lëviz nga helikopteri dhe u transportua në spital në Tiranë, ku po vlerësohet gjendja e tij dhe në vazhdimësi. Në këtë kohë nuk janë njoftuar lëndime të tjera. Hetuesit e Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Geotec-u, dhe kontraktuesi (pala e tretë) i helikopterit po përcaktojnë aktualisht në vend shkakun e incidentit. Kompania po mbikëqyr situatën dhe do të bashkëpunojë në hetim. Operacionet sizmike u pezulluan përkohësisht në pritje të rezultatit të hetimit. Nuk dihet kur do të rifillojnë operacionet sizmike.

Info / Punimet e gërmimit në Molisht-1; testimi i Shpiragut-2; rezultatet e tremujorit të dytë

Kompania kanadeze Petromanas Energy Inc njoftoi më 22 gusht 2013, gërmimin eMolisht-1, pus nafte në tokë në Shqipëri dhe përditësoi aktivitetet e saj të tjera të kërkim-zbulimit në Blloqet 2-3Molisht-1. Rruga dhe ndërtimi i vendndodhjes së pusit në Molisht-1 përparuan me shpejtësi në fund të korrikut dhe sonda e shpimit u përgatit në vendin e shpimit në fillim të gushtit. Molisht-1 ndodhet afërsisht 17 kilometra në jug të Shpirag 2-shit dhe u gërmua më 20 gusht 2013. Kompania planifikon që shpimi i pusit të arrijë në një thellësi gjithsej prej afër 5,500 metra dhe operacionet e shpimit pritet të zgjasin rreth nëntë muaj. Kostoja e parashikuar bruto e shpimit të pusit në thellësinë e parashikuar, duke përfshirë rrugën dhe shpenzimet e ndërtimit, është rreth 62 milionë dollarë. Kostoja neto e shpimit e llogaritur ngaPetromanas-i është 3 milionë dollarë. Shpirag-2. Pusi Shpirag-2 arriti thellësinë totale prej 5 547 metra në fund të qershorit dhe më pas kompania vendosi kolonën e prodhimit dhe përgatiti sondën për pusin Molisht-1. Kompania synon të bëjë një test të kontrolluar në thellësi rreth 350-400 metra të zonës së karbonatit, që është dhe objektivi. Koha e fillimit të operacioneve të testimit pritet tani të jetë mesi i shtator 2013, kurse testimi do të bëhet në tetor. Rezultatet e testimit të pritet të dalin në tremujorin e katërt. “Kontraktori ynë për ndërtimin punoi me zell për avancuar me rrugën dhe ndërtimin në Molisht në mënyrë që të mund të vihet në punë menjëherë sonda pas lirimit të saj nga Shpirag-2, duke minimizuar humbjen e kohës”, tha z. Glenn McNamara, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i Petromanas-it. “Gërmimi i pusitMolisht-1 dhe stimulimi e testimi i pusit Shpirag-2, që të dyja janë aktivitetet kryesore në programin tonë të eksplorimit në Blloqet 2-3. Këto puse synojnë dy vendburime nafte potencialisht të konsiderueshme dhe do t’i japin kompanisë informacionin për përgatitjen e një vlerësimi paraprak të  potencialit komercial të këtij aseti”. Programi sizmik i Blloqeve 2-3. Po vazhdon hetimi,që po kryhet nga Bordi i Hetimeve i Ministrisë shqiptare të [Punëve Publike] e Transportit pas incidentit me helikopterin që përfshin një kontraktues të palës së tretë, sikurse u njoftua më 13 gusht 2013.Petromanas-i dhe kontraktuesit e tij si dhe partnerët kanë mobilizuar stafin e tyre hetimor në vendin e rrëzimit dhe po bashkëpunojnë me hetimin e qeverisë. Ndërsa kanë rifilluar operacionet terren, operacionet me helikopter do të pezullohen deri sa të përfundojë hetimi. Në kohën e incidentit, ishte kompletuar rreth 60 për qind i rilevimit për programin e planifikuar sizmik 2013 dhe është parashikuar të përfundojë në nëntor të vitit 2013.

Info Berisha

Kryeministri Sali Berisha inspektoi paraditen e 27 tetorit 2012 punimet për shpimin në pusin kërkimor Shpirag 2, në Berat, pusi më i thellë i hapur ndonjëherë në vend, me thellësi totale të llogaritur prej 6100 metrash. Pusi, i cili përparon me një mesatare prej 40 metrash në ditë, aktualisht ka arritur në thellësinë e 4045 metrave. Ai është vepër e kompanive Petromanas Energy Inc. dhe Shell dhe ka një kosto totale shpimi dhe përfundimi mbi 35 milion dollarë. Së shpejti, ky investim do të shoqërohet edhe me fillimin e kërkimeve në pusin Juban 1. Grupi i Petromanas – Royal Dutch Shell i mirënjohur në fushën e eksplorimit të naftës dhe gazit, ka investuar vetëm këtë vit në Shqipëri, rreth 50 milionë dollarë, ndërsa në dy vite të marra së bashku kjo vlerë arrin në mbi 80 milionë dollarë. Në sheshin e shpimit të Shpirag 2, janë punësuar 100 punëtorë vendas dhe nëpërmjet bashkëpunimit të grupit Petromanas&Shell me kompani nënkontraktuese shqiptare janë punësuar edhe dhjetëra punonjës të tjerë. Ky grup i suksesshëm edhe në teknologjitë më të avancuara që përdor, e nis përdorimin e metodave te reja, me prurjen për herë te parë në Shqipëri, të sondës së fuqishme Rig T-46, nga firma KCA Deutag, e cila mund të shpojë deri në thellësinë 7500 metra. Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga drejtues të pushtetit lokal të Beratit, ministra e deputetë, drejtuesi i punimeve të kompanisë Petromanas Energy Inc, Hamid Mozayani, përfaqësuesi i Shell International për Shqipërinë dhe Italinë, Marco Brun, si dhe punonjës, teknikë e inxhinierë, pa nga afër punimet e kryera deri tani, si dhe sondën e shpimit. Kryeministri u interesua për ecurinë e tyre dhe përgëzoi ekipin e punës për realizimin, dy muaj para afatit të shpimit të pusit, në sajë të teknologjive më të zhvilluara dhe bashkëkohore që po aplikohen. Nga ana e tyre, investitorët e huaj dhe konkretisht drejtuesi i punimeve për kompaninë Petromanas Energy Inc u shpreh se aktiviteti i tyre në Shqipëri është mirëpritur nga shqiptarët, si dhe ka gjetur bashkëpunimin e vazhdueshëm të qeverisë shqiptare dhe të autoriteteve lokale. Ai vlerësoi potencialet dhe lehtësitë që Shqipëria ofron në këtë drejtim, duke nisur aksesi i gatshëm në tregjet kyçe të eksportit evropian, si dhe sistemi i themeluar i hidrokarbureve me fusha nafte të shumta, përfshirë Patos-Marinzën, fushën më të madhe të naftës në tokë, në Evropën Perëndimore. Kryeministri falënderoi me mirënjohje dy kompanitë Petromanas dhe Shell që me prezencën e tyre në Shqipëri dëshmuan besim të madh, duke investuar në projekte kaq të rëndësishme për vendin. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri uroi që investimi në pusin e Shpiragut të shënojë njërën nga historitë më të mira të suksesit të përbashkët mes këtyre kompanive dhe qeverisë shqiptare.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/