TIRANË, 29 shtator 2013 – Një fshat fushor i Beratit, në kufi me një zonë naftëmbajtëse të Fierit, ka përjetuar lëkundje toke brenda një kopshti, në orët e para të mëngjesit të ditës së diel. Të dielën e fundit të muajit, më 29 shtator 2012, ora 3:27:6 GMT ose ora 5:27:6 (ora verore e Shqipërisë +2), rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar një tërmet relativisht të lehtë me forcë M=2.8, me epiqendër në thellësinë 11 km. Sipas etiketës së departamentit të sizmologjisë të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në universitetin publik Politeknik Tiranë, lëkundjet e tokës janë ndier në një largësi 8 km në vijë ajrore në verilindje të qytetit të Roskovecit (rrethi i Fierit) në koordinatat 40.79°V, 19.77°L (shih hartën nr. 1, pika e kuqe). “Dyrrah”-u, me anë të google earth-it e ka lokalizuar dukurinë tektonike brenda një kopshti (shih foton satelitore, shigjeta e gjelbër). Bëhet fjalë për zonën më të madhe të banuar të komunës së Kutallisë së rrethit të Beratit, në fshatin Drenovicë (shih hartën nr. 2, pika e kuqe) me rreth 3100 banorë. Nuk ka njoftime zyrtare për viktima apo dëme materiale.

Info

Komuna Kutalli ka në përbërje fshatrat Goriçan Qendër, Goriçan Çlirim,Drenovicë, Kumarak, Kutalli, Malas Breg, Pobrat, Protoduar, Rërëz, Samaticë, Sqepur. Komuna shtrihet në pjesën perëndimore të qarkut të Beratit, kufizohet nga jugu me komunën Cukalat, nga veriu dhe lindja me komunën Poshnjë dhe nga perëndimi me komunën Strum të qarkut të Fierit. Është pranë një zone naftë-e-gazmbajtëse. Mbizotëron terreni kodrinor me rreth 53 për qind dhe ai fushor me rreth 47 për qind të sipërfaqes. Komuna përshkohet nga lumi Seman. Qendra e komunës, fshati Kutalli, ndodhet 60 m mbi nivelin e detit, në një largësi 25 km nga Berati, 30 km nga Fieri, 31 km nga Lushnja si dhe 115 km nga Tirana. Komuna ka një popullsi prej 12 500 banorësh të shpërndarë në 10 fshatra. Drenovica, që ndodhet në një lartësi prej 39 metrash mbi nivelin e detit, është dhe fshati më i madh, me 3 100 banorë ose rreth çereku i popullsisë së komunës. Fshati ka 506 ha tokë arë, 2 ha pemishte, 20 ha ullishte, 10 ha vreshta.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/