6dhjetor 2015 – Gjykata e Tiranës ka rrëzuar arrestimin dhe mbajtjen për 80 ditë në burg të një berberi vetëm se ai i kishte bërtitur inspektores së Tatimeve. Por gjatë shqyrtimit në seancë të kësaj çështje situata më komike duket se ka qenë momenti kur kur janë parashtruar pretendimet e inspektores Marjeta G.
Sipas Inspektores, nga të bërtiturat e berberit ajo ishte shtangur dhe e kishte kapur një e qarë me dënesë. Ajo ka pretenduar se i kanë rënë përtokë letrat që mbante në dorë dhe se i është dashur të ulet e t’i mbledhë përdhe. Ajo ka dalë nga dyqani, dhe i pandehuri e ka kyçur dyqanin, duke u larguar më pas tepër i revoltuar. Bazuar vetëm në kallëzimin e inspektores, Prokuroria e Tiranës e dërgoi si të pandehur berberin. Në përfundim të gjykimit më 27 nëntor, gjyqtarja Migena Laska vendosi deklarimin e tij të pafajshëm dhe urdhëroi lirimin e tij.
“Nuk pohojnë e as rrëfejnë konkretisht në asnjë moment, e mbi të gjitha në mënyrë të drejtpërdrejtë, që të kenë parë apo të kenë dëgjuar, personalisht ata vetë, që kolegia e tyre, Marjeta G., të jetë fyer, ofenduar, dhunuar, shtyrë, apo të jetë nxjerrë forcërisht jashtë dyqanit, për më tepër në mënyrë të dhunshme, nga i pandehuri Taulant Hasanaj, me qëllimin për ta penguar atë në ushtrimin e detyrës”, thuhej në vendimin e gjykatës. /panorama/





