Miliona njerëz dëshirojnë të duken si Kristiano Ronaldo, miliona të tjerë ëndërrojnë ta prekin portugezin. Por, është një shqiptar, që mban duart mbi kokën e tij. Ai është berberi Ludovik Tunaj, i cili qeth Ronaldon, Angel Di Marian, James Rodriguez-in, Michel Platininë, Lewis Hamilton-in e plot të tjerë. Ludovik Tunaj, falë magjisë që fshihet pas gërshërëve që mban nën kontrollin e gishtërinjve të tij, ka arritur që myshterinj të bëjë yjet e mëdha të futbollit dhe sportit në përgjithësi.
Përpos Ronaldos, Tunaj ka myshterinj edhe plot yje të tjerë, si Angel Di Maria, James Rodriguez, Michel Platini apo Lewis Hamilton, ndërsa ka pasur punë edhe me Lionel Mesin. Gazeta “Zëri” ka arritur të flasë me Tunajn rreth lidhjes së tij me yjet e mëdhenj të sportit, të cilëve ëndërrojnë t’iu ofrohen miliona njerëz.
“Këto yje, normalisht, në jetën e përditshme e kanë ndonjë maskë për t’u ruajtur nga mediat apo njerëzit. Megjithatë, kur ta fitosh besimin tek ata njerëz, siç e kam fituar unë, të duken shumë të thjeshtë”, ka deklaruar Tunaj, i cili jeton dhe vepron në Zvicër.
“Përpos Ronaldos, kam pasur rastin ta njoh edhe Lionel Mesin. Sa herë që kanë ardhur në Zvicër, kam qëndruar me ta dhe me familjet e tyre”, tregoi ai. Miqësia mes berberit shqiptar dhe Kristiano Ronaldos është aq e mirë, saqë portugezi bisedon edhe për çështje shumë personale të tij, sa herë që e “fut” kokën në duart e tij. “Kristiano është njëri prej personave më të mirë që kam njohur, edhe pse rri me të vetëm një herë në vit, atëherë kur vjen për ceremoninë gala të FIFA-s”, tregon Tunaj, që thekson se shpeshherë, temë bisede kanë djalin e portugezit dhe vajzën e tij. “Sa herë që vjen, më pyet se si e kam vajzën. Është një djalosh i madh dhe i thjeshtë. E kam fituar edhe besimin e familjes së tij. Sa herë që vijnë në Zurich, unë luaj me djalin e tij të vogël”, shtoi Tunaj.
Ludoviku ka pasur myshterinj edhe ish-presidentin e UEFA-s, Michel Platininë, dhe atë të FIFA-s, Sepp Blatter, kur këta kanë për të marrë pjesë në ndonjë ceremoni në selinë e FIFA-s, në Zurich. “Me Platininë nuk i kam raportet e mira, sepse e di që jam shqiptar. Kur e kam parë në ceremoninë e FIFA-s, e kam pyetur se pse nuk i do shqiptarët, ndërsa ai nuk më është përgjigjur dhe iku”, theksoi Tunaj, për të thënë më pas fjalë të mëdha për Blatterin. “Ai është një njeri shumë i mirë. Është njëri prej njerëzve më të mirë që kam njohur”, vazhdoi ai. Përpos yjeve të futbollit botëror, berberi shqiptar ka myshterinj edhe yjet shqiptarë, si: Shkëlzen Gashi, Admir Mehmedi apo Pajtim Kasami.