Një 24-vjeçar është proceduar penalisht nga policia e Lezhës pas sekuestrimit të videove të tij ku shfaqej duke bërë “drift” në krah të kundërt të lëvizjes në aksin rrugor Milot-Mamurras.
Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet D.N banues në Kurbin të Lezhës.
Ndër masat e marra ndaj tij është heqja e patentës për një periudhë 2 vjeçare si edhe ndëshkimi me gjobë prej 60 mijë lekësh të reja.
Njoftimi i Plotë:
DVP Lezhë
Bëri drift me makinë në sensin e kundërt të lëvizjes, në aksin rrugor Milot-Mamurras dhe më pas postoi video në rrjetet sociale, falë bashkëpunimit me qytetarët, Policia Rrugore e Lezhës identifikon dhe procedon penalisht drejtuesin e mjetit.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë i kanë bllokuar automjetin, i kanë vendosur masën administrative 60.000 lekë të rinj dhe i kanë pezulluar lejen e drejtimit, për 2 vjet.
Policia e Lezhës, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqej një drejtues mjeti që bënte manovra të rrezikshme me mjetin, në sensin e kundërt të lëvizjes, në aksin rrugor Milot-Mamurras, duke rrezikuar përdoruesit e tjerë të rrugës, duke prishur rendin e qetësinë publike dhe duke penguar lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera, falë veprimeve të shpejta dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, ka bërë të mundur identifikimin e drejtuesit të mjetit që shfaqej në video.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Lezhë proceduan penalisht për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, drejtuesin e mjetit, shtetasin D. N., 24 vjeç, banues në Kurbin.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë i kanë bllokuar automjetin, i kanë vendosur masën administrative 60.000 lekë të rinj dhe i kanë pezulluar lejen e drejtimit, për 2 vjet.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë falënderon qytetarët për besimin dhe i fton që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, në Komisariatin Dixhital ose në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.





