Kryeministri Edi Rama ka kërkuar përjashtimin e deputetit të Partisë Socialiste në Kurbin, Gjetan Gjetani, pas kritikave që bëri ndaj Policisë së Shtetit. Rama tha se ai nuk ka vend në PS.

‘Sot nuk ka ardhur dhe ka bërë shumë mirë. Ai nuk ka bërë asnjë punë dhe ka kërkuar vetëm ndere për të bërë emërime dhe kërkonte që të emëronte edhe shefa komisariatesh. Ky deputet nuk ka më vend tek ne’.

Kreu i qeverisë e bëri këtë deklaratë gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS. Rama ka kritikuar edhe drejtuesit e Partisë Socialiste në rrethe, duke i quajtur ndërmjetës për punësime.

Kryeministri u shpreh se shumica e kryetarëve të partisë në rrethe kanë braktisur detyrën e tyre.

“Partia në territor është larg së qëni Partia Socialiste që duam, që kryen funksionet e patjetërsueshme të komunikimit me ata që na kanë besuar. Madje shumica e kryetarëve tanë në territor e kanë braktisur detyrën dhe janë kthyer në ndërmjetës për punësime“, thotë Kryeministri Edi Rama.