TIRANË – Kryeministri Sali Berisha ka publikuar në rrjetin social Facebook një foto të viteve kur shërbente si mjek. Në foton e shumë viteve më parë duket Berisha me bluzën e bardhë të doktorit. Foton e tij kryeministri e ka shoqëruar me një dedikim për të sëmurët, e posaçërisht për personat me aftësi të kufizuara. Berisha ka nënvizuar se në 23 vjet që ka shërbyer si mjek ka përjetuar vuajtjen dhe dëshpërimin e pacientëve që ka mjekuar. 

“Te dashur miq! Une për 23 vjet, çdo ditë si mjek tek shtrati i të sëmurit, kam ndjerë, përjetuar dhe prekur vuajtjen, dhimbjen, qëndresën, dëshpërimin dhe shpresën e të sëmurit në luftën e tij heroike me sëmundjen. 

çdo orë, çdo ditë, çdo natë te shtrati i të sëmurit, zhvillohet një nga betejat më të egra, më të dhimbshme, por dhe më heroike të njeriut kundër një armiku të verbër e të pamëshirë siç është sëmundja. 

Midis këtyre miliona qytetarëve, që poetja e mirënjohur Maya Angelou në një poemë të saj i quan “Unsung Heroes” ( heronj të pakënduar) në krye qëndrojnë paraplegjikët, tetraplegjikët, të verbërit, të cilët bëjnë një përpjekje mbinjerëzore për t’i “rrëmbyer” sa më shumë jetë ditës së tyre të mërzitshme. 

Thellësisht i ndjeshëm ndaj tyre kam bërë gjithçka për të lehtësuar përpjekjen e tyre mbinjerëzore për një jetë sa më normale. – sb”, shkruan Berisha në Facebook.