Ish kryeministri Sali Berisha ka folur ditën e sotme për aferën e inceneratorëve. Ai u shpreh nga Vau i Dejës se shqiptarët kanë paguar 420 mln euro kontrata për djegësa që nuk ekzistojnë.
Nga ana tjetër, Berisha u shpreh se prokuroria bën sikur i heton këto aferat dhe në fund mbyll hetimet ndërkohë që pronarin e vërtetë, sipas tij, nuk e prek askush.
“Kjo qeveri vjedh çdo ditë, javë dhe muaj. Po qeveria qendrore? Vjedh në mënyrën më të paimagjinueshme. Në rast se këtu siç del nga dokumentet janë shtuar ata që paguhen duke mos qenë fare në punë, kjo ka ndodhur kudo në mbarë Shqipërinë. Bashkia e Tiranës 61% të taksave të qytetarëve të Tiranës i kthen në rroga. Nuk ka në botë, ju garantoj unë.
Nuk ka qeverisje vendore që mund të bëjë një gjë të tillë. Vjedhin dhe vetëm vjedhin. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur se në vitin 2022 qeveria kanë vjedhur 122 mld lekë. 122 mld lekë janë shuma me të cilat rrogat e shqiptarëve mund të rriteshin me 130%. Zef Hila foli për mjedise që nuk ekzistojnë. Në qarkun e Tiranës dhe të Elbasanit janë 420 mln euro kontrata për tre djegësa dhe asnjë djegës nuk ekziston.
Dhe prokuroria bën sikur heton. Në fakt mbyll hetime. Sot dëgjoja prokurorin sepse për djegësin e Tiranës ku Veliaj dhe Rama kanë vjedhur 53 mln deri tani vetëm me tarifën e plehrave nuk e dinë thonë se i kujt është sipërmarrja. Dihet se i kujt është por pronarin e vërtetë nuk e prek dot me dorë zoti prokuror. Sipërmarrja është e Erion Velisë se ata vetëm vjedhin aty. Kjo është vetëm njëra anë”, deklaroi Berisha.