TIRANË – Kryeministri Sali Berisha vlerësoi kontributin 20-vjeçar të Salezianëve për fëmijët në nevojë të Tiranës. Gjatë vizitës që zhvilloi në Qendrën Sociale Don Bosko, në kuadër të 20-vjetorit të prezencës Saleziane në Tiranë, Berisha shprehu mirënjohjen në emër të qeverisë shqiptare për përkushtimin e jashtëzakonshëm të tyre për fëmijët në nevojë.
"Kam patur fat të jem dëshmitar që në vitin 1992 i përpjekjes së madhe njerëzore të salezianëve për të ndihmuar fëmijët e Tiranës", tha Berisha.
Më parë, tha ai, zona ku u ngrit Qendra ishte një zonë e humbur, e mbushur me bunkere, ndërsa sot është shndërruar në një kampus të fuqishëm në mbështetje të edukimit dhe shkollimit të fëmijëve në nevojë.
"Ajo ç'ka 20 vite më parë nisi me disa baraka, sot është një kampus i mrekullueshëm shkollor, ku fëmijët nga klasa e parë deri në maturë marrin njohuri nga më të plotat dhe përgatitën në shumë fusha e profesione për të përballuar jetën", -deklaroi kreu i qeverisë.
Z. Berisha vuri në dukje se besimi në Zot, të cilin kjo qendër kultivon tek fëmijët shqiptarë është gjëja më e rëndësishme për njeriun dhe e ndihmon atë më shumë se çdo gjë tjetër në përpjekjet e tij për përmirësim, për më të mirën dhe ai që përpiqet ia arrin qëllimit.
Nga këto banka, vijoi Berisha, kanë dalë mijëra fëmijë të cilët kanë dhënë e japin një ndihmesë të madhe në zhvillimin e vendit të tyre, mbështetjen e familjeve dhe ndërtimin e jetës së tyre. Ai shprehu gatishmërinë e plotë të qeverisë për të mbështetur salezianët në nismën e tyre në çdo skaj të këtij vendi.