Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi kryeministrin Edi Rama nëpërmjet një videomesazhi ditën e sotme (12 prill), duke e akuzuar për mashtrim mbi deklaratat që ka bërë ditët e fundit për rritje rrogash dhe pensionesh.
Ai e cilësoi edhe bonusin e pensioneve që dhënë nga qeveria jo vetëm minimal, por edhe qesharak.
“Në monologun e tij të mashtrimit javor, Edi Rama sërish u rrek, u përpoq t’ju bind ju se ka rritur në mënyrë të ndjeshme rrogat dhe pensionet. E vërteta është se bonusi i pensioneve për 690 mijë pensionistë është ndër më qesharakët, janë dy kile domate në muaj, kjo është shtesa e pensioneve sipas qeverisë aktuale. Përveç kësaj rrogat sërish mbeten rrogat më të ulëta në rajonin tonë, ndërkohë që në 2013 ishin më të lartat në rajon”, tha ai mes të tjerash.
Berisha tha se raporti i IBAR nuk është votuar nga BE dhe integrimi i Shqipërisë është bllokuar për shkak të Ramës, pasi mbrojti imunitetin e Ballukut dhe bllokoi arrestimin e saj, sikurse mbrojti gjithashtu bashkëshorten dhe rrethin e tij familjar nga skandali i AKSHI-t.
“Së fundi foli për raportin e BE-së, sërish mashtroi, e vërteta është se IBAR pas pesë diskutimesh në forumin përkatës të BE-së nuk u miratua për shkak të bllokimit që Rama i bëri arrestimit të Ballukut për të mbrojtur veten e tij dhe për shkak të hetimeve që janë bërë te AKSHI, për të mbrojtur bashkëshorten e tij dhe rrethin e tij familjar”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi se “pagat mbeten më të ulëtat në rajon” dhe fajësoi qeverinë për emigrimin masiv, duke iu referuar të dhënave të Eurostat.
Lideri demokrat vuri në dyshim edhe shifrat për investimet e huaja, duke u shprehur mes të tjerash se “ekonomia ndodhet në rënie, me tkurrje të prodhimit dhe eksporteve”.
“Pra mund të themi se seriali i mashtrimeve të kësaj jave nuk ndryshon nga të tjerat. Gjithashtu foli për investimet e huaja 1,6 mld euro por sipas INSTAT, 800 milionë nuk janë investime të huaja, por reinvestime të shqiptarëve në kompani të huaja që punojnë në Shqipëri, s’ka asgjë të përbashkët me investimet e huaja. Mbetja janë blerje të apartamenteve nga Shqiptarët në Shqipëri, kurse më pak se 300 mln euro janë investime direkte, pra këto investime direkte kanë rënë në nivelet e 2004-2005 e ndër më të ulëtat. Rritja me të cilën rreh gjoksin Rama është një rritje që diktohet tërësisht nga taksat e larta dhe numri i madh i rrogtarëve në borderotë e shtetit”, vijoi kryedemokrati.
Fjala e plotë e Sali Berishës:
“Në monologun e tij të mashtrimit javor, Edi Rama sërish u rrek, u përpoq t’ju bind ju se ka rritur në mënyrë të ndjeshme rrogat dhe pensionet. E vërteta është se bonusi i pensioneve për 690 mijë pensionistë është ndër më qesharakët, janë dy kile domate në muaj, kjo është shtesa e pensioneve sipas qeverisë aktuale. Përveç kësaj rrogat sërish mbeten rrogat më të ulëta në rajonin tonë, ndërkohë që në 2013 ishin më të lartat në rajon.
Sot ai paraqiti si një sukses të madh konventën e diasporës, me këtë rast duke përshëndetur shqiptarët e diasporës kudo që janë, edhe ata që vijnë në këtë konventë, theksoj se mikpritësi juaj është një nga armiqtë më të egër të kombit shqiptar, të ekzistencës së tij jo në dekada, por edhe më shumë. Kujtoj se në 10 vite të qeverisjes së tij janë larguar 1 milion e 99 mijë shqiptarë vetëm në zonën e Shengenit sipas Eurostat, pa llogaritur zona të tjera. 45-47% e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria dhe lindshmëria është si 100 vite më parë, ky zbatoi platformën e Cubrillovicit në Beograd.
Së fundi foli për raportin e BE-së, sërish mashtroi, e vërteta është se IBAR pas pesë diskutimesh në forumin përkatës të BE-së nuk u miratua për shkak të bllokimit që Rama i bëri arrestimit të Ballukut për të mbrojtur veten e tij dhe për shkak të hetimeve që janë bërë te AKSHI, për të mbrojtur bashkëshorten e tij dhe rrethin e tij familjar.
Pra mund të themi se seriali i mashtrimeve të kësaj jave nuk ndryshon nga të tjerat.
Gjithashtu foli për investimet e huaja 1,6 mld euro por sipas INSTAT, 800 milionë nuk janë investime të huaja, por reinvestime të shqiptarëve në kompani të huaja që punojnë në Shqipëri, s’ka asgjë të përbashkët me investimet e huaja. Mbetja janë blerje të apartamenteve nga Shqiptarët në Shqipëri, kurse më pak se 300 mln euro janë investime direkte, pra këto investime direkte kanë rënë në nivelet e 2004-2005 e ndër më të ulëtat. Blerja e apartamenteve është investim pa frut, nuk sjell prodhim e shtesë, sepse prodhimi bujqësor është në recension, fermerët në recension, ekonomia ka rënie dramatike.
Rritja me të cilën rreh gjoksin Rama është një rritje që diktohet tërësisht nga taksat e larta dhe numri i madh i rrogtarëve në borderotë e shtetit”.





