Kreu i PD, Sali Berisha ka vijuar me akuzat për kryeministrin Rama lidhur me pronat e familjes së tij në zonën e Vunoit që opozita pretendon se janë grabitur. Berisha, faktin se Rama nuk publikoi dokumentet zyrtare në përgjigjen publike për akuzat e opozitës, e cilëson si provë se kryeministri po gënjen. 

“Edi Gjipeja nuk paraqiti dot hartën për të provuar se 224 mijë m2 tokë që ai ka marrë ndodheshin ashtu siç deklaroi ai, diku lart në rripa malesh dhe shumë larg nga buzëdeti, por ai me heshtjen e tij pranoi se ka mashtruar publikisht shqiptarët kur deklaroi se ajo tokë ndodhej diku lart në rripa malesh dhe shumë larg vijës së bregdetit, ndërkohë që është faktuar nga gazetarë investigativë se 13.300 m2 të kësaj toke të plaçkitur ndodhen ndër rrugën Vlorë-Himarë dhe zbresin gjer në buzë uji në zonën më panoramike dhe më turistike të bregut shqiptar.” 

Berisha i drejton 7 pyetje kryeministrit që synojnë të provojnë se është ushtruar presion ndaj drejtuesve te Agjensia e Trajtimit të Pronave pasi kanë refuzuar të regjistronin pronën e familjes së tij. 

“A ke bërë presion ti mbi Artan Lamen që vendimi i refuzimit nga ATP të kërkesës së nënës tuaj të ndjerë dhe kushërinjve të saj të mos zbardhej me qëllim që të fshiheshin arsyet e refuzimit? 

A është shkarkuar ndonjë drejtoreshë e hipotekës së Vlorës se ka refuzuar të regjistrojë tokën prej 224 mijë m2 të nënës tuaj të ndjerë, të trashëguar siç pretendoni ju nga i ati i saj, pra gjyshi juaj Petro Koleka dhe njerëzit e tij?” 

Berisha e akuzon Ramën se ka ndryshuar 2 ligje për pronën dhe ka nxjerrë 7 VKM në mënyrë që të përfitohej prona nga të afërmit e tij, por vetë kryeministri në reagimin e tij javën e shkuar tha se çështja për këtë pronë të trashëguar nga gjyshi i tij, pret ende të shqyrtohet nga gjykata dhe se ai vetë ka hequr dorë nga çdolloj trashëgimie. 

Kryeministri rreshtoi të gjithë procedurën në Kadastër dhe në gjykatë që 11 trashgimtarët, mes të cilëve dhe vëllai i tij kanë ndjekur për një pronë që ai thotë është 22 ha pyll dhe kullota shumë larg bregdetit. Ai lajmëroi se do ta padisë për shpifje Partinë Demokratike, ndërsa deklaroi se të përfshirë në montimin e këtyre akuzave janë dhe qarqe ekstremiste greke.