Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë sot një denoncim të fortë se gjyqtarja e tij e çështjes, Irena Gjoka komunikon përmes Encrochat.

Në një konferencë për mediat, Berisha ironizoi mes të tjerash zgjedhjen si avokat i caktuar nga shteti të Artan Simonit, që sipas tij u bë me urdhër të Ramës.

“Përfaqësuesit e mi shkojnë në gjykatë për një qëllim, për të treguar se unë ndaj gjykatës, ndaj institucionit, për arsye të formimit tim, tregoj respektin tim.
Se unë mund të mos i çoja fare, jo, ata kanë shkuar.
Ata kanë paraqitur një kërkesë, largimin e kësaj gjykatëseje.
Por a e patë kë zgjodhi ajo? Po ajo ishte fenomenale? Sikur ta porosisja unë. Atë Kmerin e Kuq.
Ajo ishte gjëja më e bukur. Ajo e përzgjodhi. Edi Rama ia çoi. Edi Rama ia nisi, do u them edhe personin që ua nisi.
Edi Rama ia çoi, ku e njihte ajo.
Pra, kanë shkuar për këtë qëllim. I kanë kërkuar të largohet se ka shkelur Kushtetutën. Nëse gjykatësja do thoshte se e thërras Berishën për efekte të hetimit të gjykatës, do të shkoja, por ajo thërret për të komunikuar një masë, vendim që e merr duke shkruar vetë Kushtetutën. Nuk ka histori më të turpshme se kjo.
Ndaj ata i kërkuan këtë gjë. nuk kam komunikuar se çfarë u ka thënë. Por ajo çdo gjë e komunikon me Ramën, me Encrochat apo me çfarë mjeti, nuk mund të them tani, por ajo komunikon me Ramën.
Dhe prapë do shkojnë kur të thirren. Unë rri në kontakt me organet, pavarësisht se Edi Rama mban këtë qëndrim.”, tha ai.
I pyetur për gjyqtaren Gjoka, e cila ka kaluar dy shkallët e vettingut, Berisha tha se ajo po shkruan Kushtetutën me mercenarizëm.
“Me urdhër të Edi Ramës po kërkon të krijojë një precedentë të tmerrshëm që nuk ka ndodhur. Ky është mercenarizëm ekstrem. Ajo po tenton të shkruaj Kushtetutën në zyrën e saj. Kushtetuta zbatohet, nuk shkruhet. Asnjë ligj, asnjë person nuk mund të dalë mbi Kushtetutën”, theksoi ai.