Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë akuza të forta ndaj Agron Shehajt gjatë një interviste në emisionin Opinion në TV Klan. Ai e akuzoi Shehajn se ka marrë në mënyrë të padrejtë database-in e anëtarëve të PD-së dhe po e përdor atë për interesat e partisë së tij të re.
Berisha tha se Shehaj, dikur një figurë e respektuar në PD, u largua papritur dhe tani po vepron në kundërshtim me normat morale, duke përdorur informacionet e partisë për të komunikuar me demokratët. Ai theksoi se nuk e ka ndaluar askënd të largohet, por sipas tij, krijimi i një partie të re nuk duhet të mbështetet në përdorimin e burimeve të një partie tjetër.
“Kjo është një shkelje e rëndë e moralit. Ti partinë tënde duhet ta ndërtosh me punën tënde, jo duke përdorur database-in e një partie tjetër,” u shpreh Berisha.
Ndërkohë, Shehaj nuk ka reaguar ende ndaj këtyre akuzave, ndërsa gara politike mes fraksioneve të së djathtës po bëhet gjithnjë e më e ashpër në prag të zgjedhjeve të 11 majit.