ELBASAN, 02 mars 2013- “Sot ulem këtu si një ish-nxënës, si një gjysh, si një qytetar. Më pyesni për cdo gjë, jepni sugjerime, thoni ankesat. Ju sot jeni kryeministrat e mi”, u shpreh kryeministri Sali Berisha i cili ndodhet në qytetin e Elbasanit ku zhvilloi një bashkëbisedim me mësues dhe pedagoge të këtij qyteti. 

Kreu i qeverisë po dialogon me arsimtarët në teatrin “Skapma”. 

Berisha theksoi në një fjalë të tij se në të gjitha projektet ku synohet Shqipëria e zhvilluar, mësuesit janë në epiqendër të përpjekjeve të qeverisë. 
“Kjo se vetëm një Shqipëri e bazuar mbi dijen do mund të jetë një Shqipëria e zhvilluar. Shqiptarët ndoshta si qytetarët, janë qytetarët dhe njerëzor me pasionin më të madh për arsimin”. 

Duke vënë në dukje shkallën e rritjes që kanë pësuar pagat e arsimtarëve dhe pedagogëve, kreu i qeverisë garantoi se rritja do vijojë sa kohë votohet e djathta në pushtet. 
“Ne do të takoheshim në këtë sallë me rritje rrogash të mesuesve në një shkallë të tillë si asnjë vend tjetër. Mësuesit e arsimit parashkollor kishin rrogë 200 mijë lekë sot kanë një rrogë mbi 400 mijë lekë. Po kështu arsimi i mesëm dhe i lartë, ku pagat janë dyfishuar. Kjo është e merituar dhe do vazhdojë sa kohë ne të jemi në pushtet e të votohemi nga shqiptarët. Sepse për ne shkolla është jetike dhe vendimtare”, tha Berisha. 

Kryeministri theksoi se synimi i qeverisë është, renda drejt cilësisë. “Çfarë mbetet para nesh, të rendim para cilësisë. I kemi të gjitha mundësitë që në arsimin parauniversitar të ngjitemi me shpejtësi drejt niveleve më të larta. Kjo kërkon bashkëpunim të ngushtë mes mësuesve dhe nxënësve”.

I pyetur për kalimin në sistemin 6-vjecar në arsimin parashkollor Berisha theksoi se Shqipëria meriton sistemin arsimor më të mirë, ndaj qeveria kërkon modelin më të mriz për arsimin. Sipas Berishës, Finlanda ka modelin më të mirë. 
“Kalimi në sistemi 6-vjecar, nuk është bërë për asnjë lloj qëllimi lokal, është bërë kryekëput për të adaptuar një model që e kanë gjetur të përshtatshme shumica e vendeve të zhvilluara dhe ato vende që prej disa vitesh kryesojnë me cilësinë e arsimit. Një nga këto është Finlanda. Sot është një vend i pasur, por 3 dekada më parë, nuk ka qenë e pasur, ka rreth 5 vitet e fundit që qëndron në vendet e para ose të dyta për nivelet e arsimit. Kemi cfarë të mësojmë prej këtij modeli, të marrim sa më shumë prej tij”. 

Po ashtu Berisha u ndal edhe tek përhapja e internetit në të gjithë shkollat, duke sjellë në vëmendje se pak vite më parë vendi ynë ishte në errësirë totale 
“Ne u zotuam se do të ketë internet në çdo shkollë, dhe sot pas 7 vitesh nga 40 shkolla me internet janë 2000 të tilla në të gjithë vendin, nga 70 shkolla me kabinete informatike, sot janë të gjitha shkollat me kabinete të tilla. Unë u premtoj se çdo sukses i teknologjisë së informacionit do të aplikohet para së gjithash në shkolla".