TIRANE, 12 shkurt 2013 – Nisi sot në Gjykatën e Tiranës seanca përgatitore gjyqësore mes vajzës së kryeministrit Argita Berisha dhe deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Deputeti i kërkoi gjykatës që të paraqitej si dëshmitar biznesmeni pakistanez Zafar Ansar, i cili pretendon se kompania ligjore e vajzës së kryeministrit i ka kërkuar deri në 3% të vlerës së investimit për një projekt në fushën energjetike që ai kishte në plan të investonte në Shqipëri. 

“Argita Berisha nuk vjen as në gjykatë, për të sqaruar mënyrën e pasurimit të saj, ndërkohë që kishte deklaruar se do të ishte e gatshme për t’u ballafaquar në gjykatë. Në seancën tjetër do t’i sjellim gjykatës edhe provat që ne disponojmë për mënyrën e pasurimit të Argitës. Sigurisht më lejoni të informoj se i kemi kërkuar gjykatës të thirret si dëshmitar edhe biznesmeni Zafar Ansar, të cilit Argita Berisha i kërkoi 3% të 100 milionë eurove investim. Pra i kërkoi 3 milionë euro për firmën e babit kryeministër”,- deklaroi Balla. 

Deputeti socialist u shpreh më tej se nuk priste drejtësi nga gjykata, për sa kohë kjo gjykatë liroi të akuzuarit e 21 janarit. Seanca e radhës do të zhvillohet më 12 mars.