Kryeministri Berisha ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Krishtlindjeve. Në një deklaratë për median, pas vizitës në Katedralen ortodokse, kreu i qeverisë theksoi se Krishtlindjet e tjera do t’i gjejnë shqiptarët më të bashkuar se kurrë dhe më afër Europës. Berisha nuk ka lënë pa shigjetuar edhe opozitën e cila sipas tij ngriti murin e bllokimit për marrjen e statusit. “Këto Krishtlindje festohen në 100 vjetorin e Pavarësisë, ku ideali i bashkimit kombëtar erdhi më i fuqishëm se kurrë.
Krishtlindjet e tjera do jemi më afër bashkimit kombëtar dhe idealeve evropiane. Ata që shembën kishën 60 vite më parëm ata mbetën në rrënojat e atyre mureve, vlerave nuk u reziston asnjë mur dhe ky muri i fundit i bllokimit do të provohet si një mur letre në kohërat që vijnë” tha Berisha. Gjithashtu gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha theksoi se Krishtlindjet janë dita e mrekullisë së madhe për njerëzimin.
“Është kënaqësi shumë e madhe të uroj sot nga zemra të gjithë besimtarët ortodoks shqiptarë, besimtarët e krishterë dhe besimtarët e zotit. Në kremtojmë sot një ditë të shenjtë e të bekuar, ditën e lindjes së Krishtit, burrit që me moralin e tij ndikoi në moralin e qytetërimit perëndimor dhe kjo është një ditë shprese e pashuar. Është ditë e mrekullisë së madhe në shumë aspekte sepse lindi burri që ndryshoi botën por edhe e mrekullisë tokësore”, nënvizoi ai. Kreu i qeverisë i shprehu mirënjohjen edhe kryepeshkopit Janullatos që bëri të mundur ndërtimin e Katedrales ortodokse në Tiranë.
“Unë u urova edhe kryepeshkopin Janullatos në këtë kishë madhështore në këtë katedrale e cila dekada më parë ishte e ndërtuar madhërishëm aty ku është sot hotel Tirana. Në memorin time ndër më të mëdha kishin e rrafshuan barbarisht bllokmenët hoxhist të cilët menduan se duke ndërtuar atje një hotel kish do të ishte në harresë. Sot kisha është më madhështore, sot kisha qëndron si një monument i fuqishëm i vlerave të mëdha hyjnore si një dëshmi që lufta me vlerat është një betejë fatalisht e humbur. Dua t’i shpreh mirënjohjen e thellë, Imzot Janullatos cili ka dëshmuar një përkushtim të jashtëzakoshëm që nga gurët e kësaj katedrale deti tek kupola dhe së bashku me bashkëpunëtorët e tij i dhuruan kryeqyteti një nga monumentet më madhështore të kultit “Kishën e ringjalljes”, u shpreh kryeministri Berisha.