TIRANË, 28 mars 2013– “Qëllimi ynë për 4 vitet është që Shqipëria të ketë marrë 6 miliardë investime”, theksoi sot Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit të huaj, që operojnë në Shqipëri, ku morën pjesë rreth 150 biznese të përfaqësuara. 

"4 vitet e fundit Shqipëria ka arritur të ketë çdo vit mbi 1 miliardë dollarë investime të huaja. Ekspertët çmojnë se potenciali i saj është deri në 2 miliardë dollarë në vit. Qëndrimi ynë për 4 vitet që vijnë është realist, objektiv. Dua që në krye të 4 viteve Shqipëria të marrë 6 miliardë dollarë investime të huaja", u shpreh Berisha.

Kreu i qeverisë siguroi sot se qeveria do të bëjë përpjekjet më maksimale për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës dhe më të sigurt për investitorët e huaj dhe vendas. 
"Për ne investimet e huaja kanë atë rëndësi që ka ajri për zogun". 

"Shqipëria ka nevojë jo të ecë, por të vrapojë dhe fluturojë për të kapur kohërat e humbura. Në këtë kontekst, investimet e huaja kanë rol kryesor. Për ne investim i huaj do të thotë punësim i qytetarëve”, tha Berisha. 

Berisha theksoi se ky objektiv bazohet në një paketë të re fiskale, që ka ndërmarrë kohët e fundit qeveria dhe që do të vijojë në muajt që vijnë. "Do të bëhemi ndër të paktat vende që nuk do të ketë asnjë lloj takse mbi kapitalin, qoftë financiar apo çdo lloj tjetri. Po bëjmë gjithçka për të nxitur sipërmarrjen e lirë. Hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale 10% për çdo punëtor që ka një pagesë deri në 30 mijë lekë. Hoqëm taksat deri në tre vjet për çdo të ri që punësohet për herë të parë në ndërmarrjet tuaja, përfshi dhe trajnimet. Po shqyrtojmë praktikat më të mira nga Finlanda dhe Singapori etj, që t’i vendosim në Shqipëri", tha Berisha. 

Kryeministri tha se këto reforma të ndërmarra deri sot janë faktuar të suksesshme. “Reformat që qeveria ndërmori 4-5 vitet e fundit, mbrojtën Shqipërinë në momentet më të vështira nga kriza europiane e më gjerë. Reformat dhe investimet e huaja bënë që ekonomia shqiptare të mos binte në recension, por vazhdoi rritjen, megjithëse rritje më modeste sesa mund të ishte pa faktorët e krizës", theksoi Berisha. 

Kreu i ekzekutivit shtoi se "kriza nuk do të jetë afatshkurtër, prandaj mendoj se në 4 vitet që vijnë duhet t’i japim një shtysë të re të madhe punësimit dhe rritjes ekonomike. Shqipëria ka potenciale të mëdha turistike, minerare, energjetike, por potenciali më i madh është krahu i punës, si më i shkëlqyeri në Europë, një krah pune dinamik, i arsimuar. Në 4 vitet që vijnë do të ndërmarrim reformimin më të thellë të tregut të punës për të dhënë fleksibilitetin më të lartë. Tregu i punës dhe reformimi i tij për të njëjtën rritje ekonomike jep shkallë të ndryshme punësimi, prandaj do ta bëjmë tregun e punës një nga më fleksibët në Europë". 

Në lidhje me taksën progresive, të vënë në qendër të programit ekonomik nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, Kryeministri Berisha tha se "nëse ka një vend që e ka pësuar nga kjo taksë, kjo është Shqipëria". 

"Taksa progresive do të nxiste informalitetin dhe do të ishte mesazhi më i gabuar që do t’u jepnim investitorëve të huaj nga bota. Por do të ishte edhe një akt pabesie ndaj jush, pasi ju investuat në Shqipëri sepse e dinit se kishit avantazhin e taksës së sheshtë. Taksa progresive do të ishte goditje shkatërrimtare edhe për procesin e punësimit të qytetarëve shqiptarë, që jam i bindur se do të thonë përgjigjen e tyre për këtë taksë në 23 qershor", iu drejtua Kryeministri Berisha investitorëve të huaj.