Sali Berisha është i pari nga radhët e opozitës që komenton lënien e mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri, duke thënë se bota po kërkon dorëheqjen e Ramës dhe jo “kokën’ e Tahirit. 

“Asgjë nuk sjell flakja e Saimir Tahirit jashtë parlamentit, gjersa Edi Rama qëndron dhe aktualisht flet në parlament. Dorëzimi i mandatit të tij (Tahirit) sot është dëshmi e forcës së krimit, atë që s’bëri dot parlamenti e bëri Saimir trafiku.

Bota nuk po kërkonte kokën e Saimir Tahirit, por po kërkon në të katër anët dorëheqjen e Edi Ramës. Edi Rama është pengesa absolute e shqiptarëve drejt Bashkimit Eruopian…Edi Rama është kalbësira e pushtetit në Shqipëri, Ballkan dhe Europë që duhet të hidhet sa më parë. Riktheu burgjet politike në Shqipëri. Ftoj shqiptarët të ngrihen në lartësinë e guximit dhe t’i bëjnë Ramës atë që i bëjnë armenët disa ditë më parë kryeministrit të tyre, si e palosën diktatorin e Nikaraguas. Edhe një herë thirrja ime është ta hedhim, ta hedhim kalbësirën.”

Berisha tha se dorëzimi i mandatit nga Tahiri “është një fitore e mbarë qytetarëve shqiptarë dhe e opozitës”.