Këtë të shtunë, në konferencën për shtyp para gazetarëve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se buxheti i 2025, do jetë buxheti i vjedhjeve më të mëdha të qytetarëve nga narkoqeveritarët qendrorë dhe vendorë të tyre, në tërë historinë e vendit.

Gjithashtu, Berisha u shpreh se sipas strukturës së përcaktuar nga narkoqeveria, buxheti do të përdoret masivisht për llokmat e rrugëve.

“Jam sot për të denoncuar publikisht buxhetin e vitin 2025, të shpallur si buxhetin më të madh të kohërave prej 8 mld eurosh, por pasi jam njohur me strukturën e tij, informoj qytetarët shqiptarë se ky do jetë buxheti i vjedhjeve më të mëdha të qytetarëve nga narkoqeveritarët qendrorë dhe vendorë të tyre në tërë historinë e vendit. Kjo sepse në këtë buxhet prej 8 mld eurosh i cili de fakto bën të mundur dyfishimin e të gjitha rrogave dhe pensioneve në Shqipëri, por le të themi në dorë të kursyer rritjen me 50% të tyre pa asnjë vështirësi parashikohet jo kjo, por parashikohet një vjedhje e tmerrshme e këtyre shumë miliardave eurove të qytetarëve shqiptarë.

Sipas strukturës së përcaktuar nga narkoqeveria, buxheti do të përdoret masivisht për llokmat e rrugëve dhe jo rrugët sepse ndërtimi i rrugëve ka pushuar dhe është zëvendësuar me ndërtimin e llokmave apo siç i pëlqen Ramës dhe lubisë lotëve. Do t’i përkushtohet këtyre për faktin e vetëm se 1 km rrugë në të njëjtin terren në Shqipëri ndërtohet me 10-fishin e çmimit në të cilin ndërtohet në Kroaci. Çka do të thotë se në Shqipëri vidhen të paktën 90% e investimit, madje dhe më shumë, po të kemi parasysh se rrogat në Kroaci janë dy herë më të larta se në Shqipëri”, tha Berisha.

Sipas tij, buxheti prej 8 milardë euro shënon fatkeqësinë e madhe të radhës për shqiptarët, pasi ky buxhet në të gjitha punët publike të tjera, përveç rrugëve, shkollat, qendrat shëndetësore, çerdhet, zyrat, etj, parashikon një kosto 6 gjer në 10 herë më të lartë se sa në mesataren e BE.

“Pra, parashikon një vjedhje, po të kemi parasysh dhe rrogat, 70 gjer në 94 përqind të të gjithë investimeve që bëhen në këto objekte.

Kurrë ndonjëherë një qeveri nuk ka vjedhur në mënyrë kaq të pamëshirë qytetarët e vet”, u shpreh Berisha.