TIRANË, 26 shkurt 2013- Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e Portalit të E-Punësimit, në Ministrinë e Punëve dhe Çështjeve Sociale, i cili është fryt i projektit suedez “Informatizimi i Shërbimeve të Punësimit”. 

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar, kryeministri Berisha theksoi se kriza ekonomike ka në themel të saj tregun e punës, dhe sipas tij, çdo masë e ndërmarrë në drejtim të punësimit është një masë e sigurt kundër krizës. Ndërsa vlerësoi projektin e portalit të punësimit, Berisha tha se përmes masave të ndërmarra do të mundësohet krijimi i vendeve të reja të punës. 

Shefi i qeverisë theksoi se nëpërmjet këtij portali, qytetarët shqiptarë do të mund të kërkojnë dhe aplikojnë për vende të lira pune, si dhe kompanitë private mund të publikojnë pozicionet e tyre të lira në kohë reale, në mënyrën më të shpejtë dhe transparente nëpërmjet Internetit, nga kompjuteri i tyre ose telefoni celular. 

Projekti për Informatizimin e Shërbimeve të Punësimit po zbatohet nga Shërbimi Kombëtar i Punës (ShKP), në bazë të VKM, nr.437, datë 22.06.2011, i ndryshuar. Investimi për këtë projekt është 500 mijë euro, grant i qeverisë suedeze, si dhe është implementuar nga kompania shqiptare 'Cacctus'. 

Ai është i shtrirë në 12 zyrat rajonale të punësimit, 24 zyrat lokale të punësimit, si dhe përfshin informatizimin e plotë të sistemit të brendshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe sistemin e Portalit në Internet www.epunesim.gov.al. 

Sistemi i brendshëm Intranet përmban si funksionalitete kryesore; Regjistrin elektronik të punëdhënësve; Regjistrin elektronik të vendeve të lira të punës; Regjistri i punëkërkuesit ku kryhet regjistrimi sipas formatit; Ndërmjetësimin automatik, etj. 

Sistemi online në Internet ofron për punëdhënësit mundësinë të regjistrohen në sistem online, të publikojnë një vend të ri pune, të kërkojnë për profile punëkërkuesish, të ftojnë punëkërkues për aplikim. Ndërsa për punëkërkuesit, mundësinë të regjistrohen në sistem, të plotësojnë CV sipas formatit të ngjashëm me formatin e modelit të CV-së së Bashkimit Evropian, të kërkojë për vende të lira pune dhe të aplikojë për punë. 

Gjatë implementimit të këtij projekti janë blerë rreth 300 kompjutera, printera, dhe të gjitha pajisjet shoqëruese për të siguruar funksionimin e një sistemi shërbimesh punësimi elektronike.